| Bookmark and Share

1-4 Tetor 2009

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në datat 1 – 4 tetor 2009, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kroacisë, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, Prof. Dr. Jasna Omejec, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në ditën e parë të vizitës së tij në Shqipëri, delegacioni kroat, në përbërje të të cilit ishin edhe Z. Mato Arlovic, Znj. Nevenka Šernhorst, Z. Mario Jelušic, gjyqtarë, si dhe Znj. Ksenija Podgornik, Drejtore e Kabinetit të Kryetares, u prit në ambientet e Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i kësaj gjykate, Dr. Vladimir Kristo. Gjatë këtij takimi, Kryetari Kristo, hodhi idenë e nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi, në nivele të ndryshme, mes gjykatave kushtetuese të Shqipërisë dhe Kroacisë. Kjo ide u mirëprit nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë dhe nënshkrimi i saj pritet të finalizohet brenda një periudhe të shkurtër. Kjo marrëveshje do të shënojë një hap përpara në thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit reciprok institucional.

Në ditët në vazhdim, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë zhvilloi takime zyrtare me personalitetet më të larta të shtetit shqiptar. Delegacioni u prit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bamir Topi, dhe nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Znj. Shpresa Beçaj. Në këto takime, delegacioni kroat u shoqërua edhe nga Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kroacisë në Republikën e Shqipërisë, Sh.T.Z. Darko Javorski.

Pjesë e programit të vizitës zyrtare ishte dhe tryeza e rrumbullakët me temë “Mbrojtja e të drejtave kushtetuese të individit në këndvështrimin e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut,” e cila u zhvillua në qytetin bregdetar të Vlorës. Gjatë këtij takimi, synimi kryesor i të cilit ishte shkëmbimi i njohurive dhe përvojave më të mira mes dy gjykatave kushtetuese, pati referime nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Znj. Jasna Omejec, dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Z. Kujtim Puto. Gjithashtu, gjyqtarët kushtetues diskutuan dhe shkëmbyen mendime rreth temës së kësaj tryeze.
 
Në përfundim të vizitës zyrtare në vendin tonë, miqtë nga Kroacia vizituan edhe muzeun kombëtar të Krujës “Gjergj Kastrioti,” çka shënoi edhe mbylljen e kësaj vizite.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.