Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 14.04.2017 mori në shqyrtim çështjen me palë:
Kërkues: 1/5 e Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë (Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike)
Subjekte të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Shqipërisë, Unioni i Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë
Objekti: Deklarimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 5; nënseksionit II, III dhe IV të Seksionit 2, Kreu I të pjesës II (nenet 19-58); nenit 61; nenit 103; nënseksionit II, III dhe IV të Seksionit 2, Kreu I të pjesës III (nenet 117-156); nenit 159; paragrafit 5 të nenit 169; neni 235; të pjesës VI; si dhe nenit 285, të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e paraqitura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë, bazuar në nenet 131/a dhe 134/1/c të Kushtetutës, si dhe nenet 72 e vijues të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,
VENDOSI:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës.
- Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 5; nenit 61, nenit 103, nenit 159 dhe nenit 169, pika 5 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
- Rrëzimin e kërkesës për pjesën tjetër.