| Bookmark and Share
Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Në datat 19 dhe 21.11.2024, Gjykata Kushtetuese ( Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për masat e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë vendit” si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata shqyrtoi në fillim kriteret e legjitimimit dhe arriti në përfundimin se kërkuesi i plotësonte ato, me përjashtim të pretendimit për cenimin e gjykatës së paanshme, bazuar në argumentin se gjyqtarja e shkallës së parë ishte shkarkuar më parë prej kërkuesit në funksionin e tij si President i Republikës dhe njëherazi edhe kryetar i KLD-së në atë kohë. Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, konkretisht nuk i kishte paraqitur ato formalisht gjatë gjykimit të zakonshëm sipas rregullave procedurale për këtë qëllim. Kërkesa për përjashtim për këtë gjyqtare ishte kërkuar për një shkak të ndryshëm nga ai i mësipërm.

Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë shpjegimet e kërkuesit dhe prapësimet e palëve, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi ta shqyrtonte çështjen në drejtim të së drejtës kushtetuese për t’u zgjedhur, sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe lirisë së lëvizjes, sipas nenit 38 të Kushtetutës.

Në përgjigje të pretendimit të kërkuesit se, bazuar në nenin 73, pika 2, të Kushtetutës, prokuroria duhej të kishte marrë autorizim nga Kuvendi përpara se të kërkonte nga gjykatat caktimin ndaj tij të masave të sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, Gjykata bëri një analizë qëllimore dhe semantike të dispozitës kushtetuese në fjalë. Në kuadër të kësaj analize, Gjykata iu referua edhe materialeve të procesit legjislativ, të cilat i paraprinë amendamentit kushtetues të vitit 2012, kur u miratua neni 73, pika 2, me përmbajtjen që ai ka sot, si edhe precedentit në rastin Tahiri, ashtu edhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut.

Gjykata interpretoi shprehjen “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme” bazuar edhe në frymën e amendamentit kushtetues të vitit 2012, i cili synonte reduktim sa më të madh të imunitetit procedural të deputetëve. Gjykata vlerësoi se, neni 73, pika 2, i Kushtetutës duhet të interpretohet ngushtësisht si një avantazh i përkohshëm procedural që e gëzojnë deputetët në funksion të mirëfunksionimit të Kuvendit në tërësinë e tij dhe jo si privilegj i deputetëve si individë. Me këtë frymë, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se mbrojtja e përkohshme procedurale që neni 73, pika 2, i Kushtetutës u garanton deputetëve i referohet vetëm lirisë personale dhe jo lirisë së lëvizjes.

Gjykata e shqyrtoi masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të së drejtës për t’u zgjedhur, sipas nenit 45 të Kushtetutës. Duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë), Gjykata, njëzëri, arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë Gjykata, njëzëri, arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë, nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.

Gjykata e shqyrtoi masën e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë vendit” në kuadër të lirisë së lëvizjes, të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës, e cila është e ndryshme nga liria personale e garantuar nga neni 27 i Kushtetutës dhe, për pasojë, kërkuesi, në cilësinë e deputetit, nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm.

Gjykata shqyrtoi pretendimin e kërkuesit në lidhje me paanësinë e gjykatave të posaçme, për shkak të parashikimeve të ligjit nr. 95/2016, përkatësisht nenet 48-51 të tij, të cilat parashikojnë kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake të gjyqtarëve, familjarëve të tyre nga hetuesit e BKH-së, e cila sipas kërkuesit varet nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Gjykata, me shumicë votash, vendosi që pretendimi i kërkuesit është i pabazuar për arsyet e mëposhtme:

a) autorizimi për regjimin e kontrollit periodik është i parashikuar në Kushtetutë dhe, si i tillë, nuk mund të bëhet objekt i kontrollit kushtetues;

b) ligji përmban garanci të mjaftueshme për të siguruar pavarësinë e gjyqtarëve në mënyrën se si realizohet kontrolli, pasi rezultatet e kontrollit eventual të kryer nga BKH-ja janë objekt vlerësimi nga gjykata në rastet e procedimit penal dhe nga KLGJ-ja në rastet disiplinore;

c) ligji përmban një tërësi garancish, të cilat sigurojnë pavarësinë e tyre në ushtrim të funksionit për shkak të statusit të posaçëm të këtyre gjyqtarëve, çka përfshin emërimin, pagën, karrierën, trajtimin e posaçëm dhe mënyrën e shkarkimit.

Gjykata shqyrtoi edhe pretendimet e kërkuesit për procesin e rregullt në drejtim të mbrojtjes efektive, dhe, me shumicë votash, vlerësoi se ai është i pabazuar pasi, siç kanë arsyetuar gjykatat e zakonshme, kërkuesit i është dhënë mundësia e mbrojtjes në përputhje me garancitë procedurale të parashikuara nga ligji.

Më tej, Gjykata shqyrtoi secilën masë sigurimi në këndvështrim të parimit të proporcionalitetit të lidhur me standardin e arsyetimit.

Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi, duke iu referuar arsyetimit të gjykatave të zakonshme, se masa e dhënë ndaj kërkuesit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” është propocionale në drejtim të domosdoshmërisë, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.

Në lidhje me masën tjetër, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës, duke shfuqizuar vendimet gjyqësore objekt të shqyrtimit kushtetues vetëm për pjesën që kanë caktuar masën “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ndaj kërkuesit Sali Berisha për shkak të cenimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë së kësaj mase, në kushtet kur qëllimet e saj përmbushen nga masa tjetër e dhënë ndaj kërkuesit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.