Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 28.01.2025 shqyrtoi në seancë plenare publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit , me objekt shfuqizimin e ligjit nr. 69/2023, datë 21.07.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 53/2019, datë 18.07.2019 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë” ”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, e mbledhur në datën 10.02.2025, fillimisht shqyrtoi kriteret e legjitimimit të kërkuesit dhe arriti në përfundimin se kërkuesi përmbush kriteret e legjitimimit për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues.
Për sa i takon themelit të çështjes, gjykata shqyrtoi në radhë të parë pretendimet me natyrë procedurale që lidhen me cenimin e procedurës parlamentare të miratimit të ligjit nr. 69/2023, sipas nenit 78, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 32, pika 2, të Rregullores së Kuvendit.
Në përfundim të vlerësimit të këtij pretendimi, për cenimin e nenit 78, pika 2, të Kushtetutës, gjykata vlerësoi se ky nen shtrihet edhe për thirrjen e mbledhjeve të komisioneve parlamentare të përhershme. Në vijim, mendimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime, 4 gjyqtarë vlerësuan se ligji duhej të shfuqizohej për shkak se mbledhja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik nuk ishte thirrur sipas parashikimeve të nenin 78, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 32, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, duke mos vijuar më tej me shqyrtimin e pretendimeve të tjera të kërkuesit, ndërsa 4 gjyqtarët e tjerë e vlerësuan si të pabazuar këtë pretendim dhe u shprehën se mund të vijonin shqyrtimin e pretendimeve të tjera në themel.
Për shkak të qëndrimeve të mësipërme, Gjykata konstatoi se ishte e pamundur të formohej numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrjen e pretendimeve të tjera të kërkuesit, që lidheshin me cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, si dhe të parimit të sigurisë juridike.
Për arsyet e mësipërme,
Në përfundim, Gjykata, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.