| Bookmark and Share

Neni 6 (E drejta për një proces të rregullt)

1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.

3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:

a. të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;

b. t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;

c. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;

d. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;

e. të ndihmohet falas nga një përkthyes në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.

Rastet që nuk janë pranuar

1.       Beshiri dhe të tjerët kundër Shqipërisë

  • Moszbatimi i vendimeve përfundimtare administrative që njihnin të drejtën e aplikantëve për kompensim në një nga mënyrat e parashikuara me ligj;
  • Vendim i cili del në vazhdimësi të vendimit pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë;
  • Mos shterimi i mjetit efektiv ligjor në sistemin kombëtar për sa i përket mosekzekutimit të vendimeve përfundimtare të kompensimit: kërkesa e papranueshme. [neni 13 dhe Protokolli 1];
  • hapësirë të gjerë vlerësimi për të përcaktuar se çfarë është në interes të publikut, veçanërisht në rastet e kompensimit për shtetëzimet ose shpronësimet
  • Mjeti ligjor (Ligji për pronat 2015) u konsiderua efektiv nga Gjykata për sa i përket: përshtatshmërisë së mjetit, mjaftueshmërisë së kompensimit, aksesibilitetit dhe efikasitetit të mjetit. Kërkesa shpallet e papranueshme [neni 35-1].

Rastet që janë çregjistruar

1. Luli kundër Shqipërisë, vendim i 12 nëntorit 2019

  • aplikanti është ankuar në lidhje me të drejtën e aksesit në gjykatë dhe procesit të rregullt ligjor sipas Nenit 6 § 1;
  • nuk i është përgjigjur korrespondencës së Gjykatës; shërbimi postar ka kthyer letër me shënimin "adresë e panjohur";
  • Gjykata konsideroi që në këto kushte, aplikanti të konsiderohet se nuk do të vazhdojë më gjykimin në kuptim të Nenit 37 § 1 të Konventës;
  • çështja çrregjistrohet;

2. Braka kundër Shqipërisë, vendim i 2 prillit 2019

  • aplikanti është ankuar në lidhje me të drejtën e aksesit në gjykatë, mbrojtjen efektive dhe kohëzgjatjen e procedimeve sipas Nenit 6 të Konventës;
  • nuk i është përgjigjur korrespondencës së Gjykatës;
  • Gjykata nuk do të vazhdojë më gjykimin në kuptim të Nenit 37 § 1 të Konventës. Gjykata rezervon të drejtën ta rivendosë çështjen në listë nëse lind një situatë e re e aftë të justifikojë një veprim të tillë;
  • vendos të çrregjistrojë çështjen

3. Aliaj kundër Shqipërisë, vendim i 2 prillit 2019

  • aplikanti është ankuar për shkelje të procesit të rregullt ligjor të gjykimit në mungesë dhe të së drejtës për tu mbrojtur sipas Nenit 6 të Konventës
  • nuk i është përgjigjur korrespondencës së Gjykatës prej 16 Majit 2018;
  • Gjykata konsideroi që në këto kushte, këkrkuesi të konsiderohet se nuk do të vazhdojë më gjykimin në kuptim të Nenit 37 § 1 të Konventës;
  • vendos të çrregjistrojë çështjen

4. Koçiu dhe Berballa kundër Shqipërisë, vendim i 7 nëntorit 2017

  • aplikanti është ankuar për shkelje të Nenit 6(1), 6(3) për mungesën e paanshmërisë të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese;
  • letra e dërguar nga Gjykata më datë 3 Prill 2017, që informonte aplikantët mbi çështjen e tyre u dërgua në adresën e tyre në burg. Asnjë nga aplikantët nuk kishte një përfaqësues. Letrat u kthyen me shënimin ("larguar").
  • më 24 korrik të 2017 Qeveria njoftoi Gjykatën mbi faktin se të dy aplikantët ishin liruar me kusht në 20 maj 2009.
  • Gjykata vlerëson se duhet të zbatohet neni 37 § 1 i Konventës;
  • Gjykata gjithashtu risjell në vëmendje që, në pajtim me Nenin 47 § 7 të Rregullores së Gjykatës, "aplikantët e mbajnë Gjykatën të informuar për çdo ndryshim të adresës dhe të të gjitha rrethanave të rëndësishme në lidhje me kërkesën". Në këtë drejtim, duhet të theksohet se aplikanti nuk ka arritur t'i përgjigjet letërkëmbimit nga Gjykata ose të informojë këtë të fundit për zhvillimet përkatëse dhe ndryshimin e tij të adresës.
  • Gjykata konsideron se, në këto rrethana, aplikanti mund të konsiderohet se nuk dëshiron të ndjekë kërkesën e tij, në kuptimin e nenit 37 § 1 (a) të Konventës;
  • çështja çrregjistrohet.

5. Bitanji kundër Shqipërisë, vendim i 7 nëntorit 2017

  • aplikanti është ankuar për shkelje të Nenit 6(1) të Konventës;
  • iu kërkua vendosja e një mbrojtësi;
  • aplikanti kishte bërë kërkesë për rishikimin e e vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër në vitin 2005; kërkesa u pranua nga Gjykata e Lartë dhe në vitin 2010 Prokurori i Rrethit Shkodër urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.
  • aplikanti në një datë të pacaktuar kishte depozituar pranë gjykatave të brendshme kërkesën për burgim të padrejtë. Qeveria pretendoi se duke qenë çështja në gjykim nuk ishin shteruar mjetet.
  • Duke marrë parasysh informacionin e marrë pas njoftimit drejtuar qeverisë së paditur, të bërë nga Gjykata për kërkesën, Gjykata vlerëson se duhet të zbatohet neni 37 § 1 i Konventës.
  • Gjykata gjithashtu risjell në vëmendje që, në pajtim me Nenin 47 § 7 të Rregullores së Gjykatës, "aplikantët e mbajnë Gjykatën të informuar për çdo ndryshim të adresës dhe të të gjitha rrethanave të rëndësishme në lidhje me kërkesën";
  • aplikanti nuk ka arritur t'i përgjigjet letërkëmbimit nga Gjykata ose të informojë këtë të fundit për zhvillimet përkatëse dhe ndryshimin e tij të adresës.
  • Gjykata konsideron se, në këto rrethana, aplikanti mund të konsiderohet se nuk dëshiron të ndjekë kërkesën e tij, në kuptimin e nenit 37 § 1 (a) të Konventës.
  • çështja çrregjistrohet.

6. Duni kundër Shqipërisë, vendim i 17 tetorit 2017

  • aplikanti është ankuar për shkelje të së drejtës për të patur një vendim të arsyetuar sipas Nenit 6(1);
  • Gjykata konsideron, se neni 37 § 1 i Konventës duhet të zbatohet në këtë rast. Gjykata gjithashtu rikujton që, në pajtim me rregullin 47 § 7 të Rregullores së Gjykatës, "aplikantët e mbajnë Gjykatën të informuar për çdo ndryshim të adresës dhe të të gjitha rrethanave të rëndësishme për kërkesën";
  • aplikanti nuk ka arritur t'i përgjigjet korrespondencës dhe nuk e ka njoftuar Gjykatën për ndonjë ndryshim të adresës së tij;
  • Aplikanti mund të konsiderohet se nuk dëshiron të ndjekë kërkesën e tij, në kuptimin e nenit 37 § 1 (a) të Konventës;
  • çështja çrregjistrohet.

7. Veizi dhe Deda kundër Shqipërisë, vendim i 28 marsit 2017

  • Ankuesit u shprehën se sipas nenit 2 dhe 13 të Konventës, atyre iu ishte mohuar e drejta për të marrë informacion në dosjen e hetimit dhe sipas nenit 6 të Konventës për një shkelje të së drejtës së tyre të aksesit në gjykatë,
  • Qeveria i kërkoi Gjykatës ta nxirrte ankimin nga lista e çështjeve, në përputhje me nenin 37 të Konventës ;
  • Qeveria pranon se hetimi i zhvilluar mbi rrethanat e vdekjes së vëllezërve të ankuesve nuk ishte në përputhje me nenet 2,13 dhe 6 të Konventës, dhe se këto çështje nuk janë adresuar në procedimet penale vendase të përmendura më sipër ;
  • Gjykata konstaton se pas dakordësisë së shprehur nga ankuesit në lidhje me kushtet e deklaratës së bërë nga Qeveria, çështja duhet trajtuar si një zgjidhje miqësore midis palëve ;
  • kërkesa çrregjistrohet në mbështetje të nenit 39 të Konventës .

8. Murrja kundër Shqipërisë, vendim i 24 janarit 2017

  • aplikanti është ankuar për shkelje të Nenit 6(1), dhe 3 të Konventës;
  • refuzohet kërkesa që ankuesi të përfaqësohej personalisht në gjykim. Iu kërkua vendsja e një mbrojtësi që edhe në rast pamundësie do t’i ofrohej një përfaqësim i përshtatshëm. U informua dhe për ndihmën ligjore;
  • nga aplikanti nuk u mor asnjë përgjigje;
  • Gjykata vlerëson se, në rrethanat e çështjes në fjalë, në mungesë të ndonjë përgjigje në korrespodencën e dërguar nga Gjykata, aplikanti mund të konsiderohet se nuk dëshiron më të ndjekë kërkesën e tij, në kuptimin e nenit 37 1 (a ) e Konventës.
  • çështja çrregjistrohet

9. Hatija kundër Shqipërisë, vendim i 24 janarit 2017

  • aplikanti është ankuar për gjykimin e çështjes tej afatit të arsyeshëm sipas Nenit 6(1);
  • shteti ka njohur qartësisht shkeljen dhe i ka qëndruar deklaratës së njëanshme për një zgjidhje miqësore duke akorduar një shumë për dëmshpërblimin e përshtatshëm;
  • Gjykata vëren se shuma e të hollave të ofruara nga qeveria ka si qëllim të kompensojë aplikantin për dëmin e pësuar si rezultat i kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore ;
  • Gjykata konsideron se nuk është më e justifikuar të vazhdohet shqyrtimi i kërkesës (Neni 37 § 1 (c);
  • Gjykata vlerëson se, nëse Qeveria nuk zbaton kushtet e deklarimit të njëanshëm të parashtruar prej saj, kërkesa mund të rikthehet në listë në përputhje me nenin 37 § 2 të Konventës;
  • çështja çrregjistrohet ;

10. Caka kundër Shqipërisë, vendim i 24 janarit 2017

  • aplikanti është ankuar për shkelje të Nenit 6(1) dhe 13 të Konventës si dhe Protokollit 1, për mosekzekutim të vendimit gjyqësor të formës së prerë;
  • Palët u ofruan për zgjidhje miqësore të çështjes, ku shteti ra dakord të akordonte një shumë për dëmshpërblimin e përshtatshëm; kryerja e pagesës do të përbënte zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
  • Gjykata merr parasysh zgjidhjen miqësore të arritur mes palëve ;
  • Gjykata, njëzëri,vendos të çregjistrojë kërkesën, në përputhje me nenin 39 të Konventës.

11. Rushiti kundër Shqipërisë, vendim i 24 janarit 2017

  • aplikanti është ankuar për shkelje të Nenit 6(1) për kohëzgjatjen e procedurave;
  • Qeveria shqiptare e pranon se ka pasur një shkelje të të drejtave të ankueses, të garantuara nga neni 6 § 1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i tejzgjatjes së jashtëzakonshme të procedurave gjyqësore
  • Qeveria u ofrua për zgjidhje miqësore të çështjes ku me anë të një deklarate ra dakord të akordonte një shumë për dëmshpërblimin e përshtatshëm; Kryerja e pagesës do të përbënte zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
  • Gjykata merr parasysh zgjidhjen miqësore të arritur mes palëve ;
  • Duke pasur parasysh natyrën e parashtrimeve të bëra nga Qeveria, si edhe shumën e propozuar për kompensim – e cila është në përputhje me shumat e dhëna në raste të ngjashme, Gjykata mendon se nuk është më e justifikueshme të vazhdohet me shqyrtimin e ankimit (neni 37 § 1 (c)
  • Gjykata thekson se nëse Qeveria nuk respekton kushtet e deklaratës së saj të njëanshme, ankimi do të rikthehet në listë në përputhje me nenin 37 § 2 të Konventës.

Rastet ku nuk janë konstatuar shkelje

1.       Haxhia kundër Shqipërisë, vendim i 8 tetorit 2013

  • neni 6 nuk përcakton rregulla mbi pranueshmërinë e provave;
  • pyetja është nëse procedimet në tërësi, duke përfshirë edhe mënyrën në të cilën janë marrë prova ishte i drejtë;
  • koha për përgatitjen e mbrojtjes së aplikantit ishte e mjaftueshme;
  • të pandehurit duhet të jenë në gjendje për të kundërshtuar provat kundër tyre;
  • ndonjë parregullsi në mbajtjen e një deklarate të dëshmitarit mund të rregullohet, duke siguruar dëshminë e dëshmitarit.

2.       Mulosmani kundër Shqipërisë, vendim i 8 tetorit 2013

  • neni 6 nuk përcakton rregulla mbi pranueshmërinë e provave;
  • pyetja është nëse procedimet në tërësi, duke përfshirë edhe mënyrën në të cilën janë marrë prova ishte i drejtë;
  • koha për përgatitjen e mbrojtjes së aplikantit ishte e mjaftueshme; aplikanti mund të parashikojë riklasifikimin e akuzave penale kundër tij;
  • ndonjë parregullsi në mbajtjen e një deklarate të dëshmitarit mund të rregullohet, duke siguruar dëshminë e dëshmitarit;
  • mungesa e paraqitjes së një dëshmitari, i cili nuk ishte dëshmitar okular nuk ishte dëmtuese.

3.       Berhani kundër Shqipërisë, vendim i 27 majit 2010

  • kohëzgjatja e procedurave; vonesa zgjati 2 vjet, 7 muaj;
  • asgjë nuk tregonte se ishte faji i autoriteteve shtetërore; autoritetet shtetërore kanë vepruar me kujdesin e duhur;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje nenin 6 [shkelje për sa i përket procesit të rregull ligjor).

4.       Caka kundër Shqipërisë, vendim i 8 dhjetorit 2009

  • mospërfaqësimi nga një avokat;
  • refuzimi për të lejuar marrjen në pyetje të një dëshmitari të caktuar nuk konsiderohet shkelje nëse provat mund të mbështeteshin me prova të tjera materiale duke përfshirë edhe dëshmitarë të cilët ishin marrë në pyetje.
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me nenin 6 [shkelje - dështim i autoriteteve për të siguruar dëshmitarë dhe për t’i dhënë peshën e duhur pohimeve të tyre).

5.       Marini kundër Shqipërisë, vendim i 7 korrikut 2008

  • Vonesat nuk ishin të paarsyeshme në grupet 3, 4 dhe 5 të procedurave, pasi përfshiheshin shkallë të ndryshme të juridiksionit;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me nenin 6 [shkelje], nenin 1 te Protokollit Nr. 1 [shkelje].

6.       Balliu kundër Shqipërisë, vendim i 27 majit 2005

  • një personi të akuzuar për një vepër penale, i cili nuk dëshiron të mbrohet vetë, duhet t'i jepet mundësia për të pasur ndihmë ligjore nëpërmjet një mbrojtësi të zgjedhur prej tij;
  • nëse ai nuk ka burime të mjaftueshme për të përballuar këtë ndihmë, i njihet e drejta që ta ketë këtë ndihmë falas kur e kërkojnë interesat e drejtësisë;
  • duhet të përcaktojë nëse shteti mban përgjegjësi për neglizhimin e avokatit të zgjedhur nga aplikanti, për të përmbushur detyrën e tij;
  • ishte e pamundur, duke marrë parasysh pavarësinë e Dhomës së Avokatisë, për ta detyruar mbrojtësin e aplikantit për të vepruar;
  • aplikanti nuk pranoi të mbrohej nga një avokat i caktuar kryesisht;
  • aplikanti nuk e informoi asnjëherë Gjykatën e Rrethit të Durrësit për mungesën e përfaqësuesit të tij dhe as të avokatit të caktuar kryesisht dhe as nuk kërkoi ndonjë avokat tjetër;
  • autoritetet përmbushën në nivel të mjaftueshëm detyrimin e tyre për të siguruar ndihmë ligjore, si, duke shtyrë seancat, për t'i dhënë avokatit të aplikantit mundësi për të përmbushur detyrën e tij, ashtu dhe duke caktuar një avokat sipas skemës së ndihmës ligjore.

Rastet ku janë konstatuar shkelje

1.       Karemani kundër Shqipërisë, vendim i 25 shtator 2018

  • aplikanti, pa u mbështetur në ndonjë nen specifik, u ankua për padrejtësi në proces, të mbajtura në mungesë, dhe për shkelje të të drejtave të tij për t'u mbrojtur. Gjithashtu, ai kërkoi rihapjen e procedimeve. Gjykata është e mendimit se ankesat e aplikantit duhet të shqyrtohen në mbështetje të nenit 6 §§ 1 dhe 3 (c) të Konventës ;
  • proceset të cilat mbahen në mungesë të të pandehurit në vetvete nuk janë në papajtueshmëri me nenin 6 të Konventës, mohimi i drejtësisë ndodh në rastin kur një person i dënuar në mungesë nuk mundet të marrë nga një gjykatë, e cila e ka dëgjuar, një gjykim të ri për themelin e akuzës, si për ligjin edhe për faktin, në rastin kur nuk është vërtetuar se ai ka hequr dorë nga e drejta e tij për t'u paraqitur dhe për të mbrojtur veten;
  • refuzimi për të rihapur proceset e realizuara në mungesë të të pandehurit, pa vërtetuar se i pandehuri ka hequr dorë nga e drejta e tij për t'u paraqitur në gjykim, është konsideruar "mohim flagrant i drejtësisë", duke bërë që proceset të jenë "dukshëm në kundërshtim me parashikimet e nenit 6 ose me parimet e përcaktuara në të;
  • garancitë në paragrafin 3 të nenit 6 janë aspekte specifike të së drejtës për një gjykim të drejtë parashikuar në paragrafin 1. Është e panevojshme të shqyrtohet lidhja e paragrafit 3 me çështjen;
  • nuk ishte provuar se ai kishte hequr dorë, pa mëdyshje, nga e drejta e tij për t'u paraqitur në gjykatë, duke iu shmangur drejtësisë qëllimisht;
  • ka pasur një shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës.

2.       Hysi kundër Shqipërisë, vendim i 22 gusht 2018

  • aplikanti u ankua mbështetur në nenin 6 §§ 1 dhe 3 (c) dhe (d) të Konventës, gjykimin e tij në mungesë;
  • qeveria parashtroi se mangësitë e brendshme të konstatuara në çështjet Shkalla dhe Izet Haxhia (cituar më sipër), të cilat po ashtu, lidhen me çështjen konkrete, ishin adresuar me anë të masave të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi, për të parandaluar shkelje të ngjashme në të ardhmen, të lidhura me padrejtësinë e procedimeve penale;
  • aplikanti është informuar për dënimin e tij në mungesë, më 30 mars 2007, si data e fundit (shih paragrafin 8 më sipër), ai nuk mund ta përdorë një mjet të tillë;
  • kërkesa për rishikimin e një vendimi të formës së prerë duhet të paraqitet brenda tridhjetë ditëve që nga data në të cilën është ekstraduar personi, ose nga data në të cilën i pandehuri është vënë në dijeni për gjykimin në mungesë. Sipas rastit, për sa u përket rrethanave të çështjes, Gjykata arrin në përfundimin se aplikanti nuk mund ta përdorë atë mjet;
  • nuk ka asnjë parashikim të ri në KPP, që i lejon gjykatat vendase të shqyrtojnë pa afat çështjet e vjetra, për të cilat gjykimi është kryer në mungesë;
  • mjetet e reja të njohura në vitin 2017, të cilat mund të jenë efikase për situatat pas hyrjes në fuqi të parashikimeve të reja të KPP-së, nuk zbatohen për çështjen konkrete;
  • garancitë në paragrafin 3 të nenit 6 janë aspekte specifike të së drejtës për një gjykim të drejtë parashikuar në paragrafin 1. Është e panevojshme shqyrtimi i lidhjes së paragrafit 3 të çështjes, përderisa pretendimet e aplikantit, në çdo rast, përmblidhen në ankesën se procedimet ishin të padrejta;
  • aplikanti nuk pati mundësinë të përfitonte një cilësim të ri të akuzave ndaj tij nga një gjykatë, e cila do ta kishte dëgjuar në proces në përputhje me garancitë e nenit 6 § 1; ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës si për realizimin e procedimeve në mungesë dhe për mohimin që i është bërë aplikantit për një shqyrtim të ri të themelit të çështjes.

3.       Malo kundër Shqipërisë, vendim i 22 maj 2018

  • aplikanti u ankua në lidhje me gjykimin e tij në mungesë sipas Nenit 6 §§ 1 dhe 3 (a), (b), (c) dhe (d) të Konventës, se nuk ishte lejuar të shqyrtonte dëshmitë ose të kërkonte shqyrtimin e të dhënave në procedimet e rigjykimit;
  • garancitë në paragrafin 3, të nenit 6, janë aspekte specifike të së drejtës për një gjykim të drejtë parashikuar në paragrafin 1. Nuk është e nevojshme shqyrtimi i paragrafit 3 të çështjes, duke qenë se pretendimet e aplikantit, në çdo rast, përmblidhen në një ankesë se procedimet ishin të padrejta.
  • megjithëse procedimet të cilat kishin ndodhur në mungesë të të akuzuarit, në vetvete nuk pajtohen me nenin 6 të Konventës, mohimi i drejtësisë ndodh në rastin kur një person i dënuar në mungesë nuk mund të përfitojë nga gjykata, e cila e ka dëgjuar, një gjykim të ri të akuzës, në lidhje me ligjin dhe faktin, në rastin kur nuk konstatohet se ai ka hequr dorë nga e drejta e tij për t'u paraqitur dhe për t'u vetëmbrojtur;
  • aplikanti u ankua edhe për mungesë të arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Lartë;
  • arsyetimet e kufizuara të vendimeve të dhëna nga Gjykata e Lartë në formulat de plano të vendimeve të saj, tregonin se aplikanti nuk kishte plotësuar një nga kriteret e ligjit parashikuar nga dispozita përkatëse vendëse, për të pranuar kërkesën për rivendosje në afat. Kur Gjykata e Lartë refuzon të pranojë një çështje me arsyetimin se nuk janë shkaqet ligjore për të pranuar këtë çështje, një arsyetim shumë i kufizuar mund të përmbushë kërkesat e nenit 6 të Konventës; kjo pjesë e kërkesës është qartazi e pabazuar në fakte dhe duhet të kundërshtohet sipas nenit 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.

4.       Muça kundër Shqipërisë, vendim i 22 gushtit 2018

  • Aplikanti u ankua për parregullsi të proceseve të kryera në mungesë dhe paanshmëri të gjyqtarëve duke pretenduar shkelje të nenit 6§1 të Konventës;
  • edhe pse procedimet të cilat zhvillohen në mungesë të të pandehurit në vetvete nuk pajtohen me nenin 6 të Konventës, gjithsesi, drejtësia mohohet në rastin kur një person i dënuar në mungesë nuk mund të marrë nga gjykata, e cila ka dëgjuar çështjen e tij, një gjykim të akuzës, si për ligjin edhe për faktin, për aq kohë sa nuk është përcaktuar se ai ka hequr dorë nga e drejta e tij për t'u paraqitur dhe për t'u vetëmbrojtur;
  • edhe pse avokati i zgjedhur prej tij vijoi ta përfaqësonte në apel, nuk mund të nënkuptohet se avokati po vepronte sipas udhëzimeve eksplicite të aplikantit;
  • nuk mund të nënkuptohet se nisur nga fakti se aplikanti u mbrojt nga një avokat i caktuar nga nëna e tij, aplikanti ka pasur dijeninë e duhur për apelimin dhe procedurat e rigjykimit;
  • nuk provohet se aplikanti ka pasur mjaftueshëm dijeni për procesin e apelimit ose se ka pasur mjaftueshëm dijeni për procesin e rigjykimit ndaj tij. Nuk ka asnjë tregues në dosjen e çështjes për faktin se autoritetet kanë bërë çdo përpjekje për ta njoftuar;
  • është shkelur neni 6 i Konventës
  • duke supozuar se neni 6 përkon me procedurat e rivendosjes në afat, Gjykata nuk gjykon se shqetësimet që mund të ketë pasur aplikanti për paanshmërinë e trupit gjykues të Gjykatës së Rrethit të datës 4 nëntor 2005 dhe të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit më 29 shtator 2006, të jenë të justifikueshme objektivisht.  Në këtë mënyrë, rezulton se kjo pjesë e kërkesës është qartazi e pabazuar në fakte dhe duhet të rrëzohet në përputhje me nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.

5.       Topi kundër Shqipërisë, vendim i 22 maj 2018

  • Mbështetur në nenet 6§1 dhe 13 të Konventës, aplikanti u ankua se i ishte mohuar aksesi në Gjykatën Kushtetuese dhe se gjykimi i tij në mungesë ishte në shkelje të nenit 6§1 të Konventës;
  • qeveria parashtroi se të metat vendase të konstatuara në çështjet Shkalla dhe Izet Haxhia (cituar më sipër), të cilat po ashtu kishin të bënin me çështjen konkrete, ishin adresuar nga masat e përgjithshme të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi, për të parandaluar shkelje të ngjashme në të ardhmen në lidhje me padrejtësitë në procedimet penale
  • Gjykata arrin në përfundimin se përderisa aplikanti u informua për dënimin e tij në mungesë më 1 mars 2006 (shih paragrafin 21 më sipër), ai nuk mund të përdorë një mjet të tillë.
  • kërkesa për rishikimin e vendimit të formës së prerë duhet të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data në të cilën personi është ekstraduar ose nga data në të cilën aplikanti bëhet me dije për gjykimin në mungesë. Sipas rastit, duke marrë në konsideratë rrethanat e çështjes, Gjykata arrin në përfundimin se aplikanti nuk mund ta përdorte as atë mjet.
  • Gjykata arrin në përfundimin, se mjetet e reja të paraqitura në vitin 2017, të cilat mund të jenë efikase në çështjet e paraqitura pas hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të KPP-së, nuk janë të zbatueshme në çështjen konkrete;
  • Gjykata konstaton se aplikanti nuk pati mundësinë të përfitonte një përcaktim të ri të akuzave ndaj tij nga një gjykatë, e cila do ta kishte dëgjuar gjatë shqyrtimit të çështjes në përputhje me garancitë e nenit 6§1; është shkelur neni 6§1 i Konventës.
  • Gjykata vëren se procedurat dhe dënimi ndaj aplikantit u kryen në mungesë. Për këtë arsye, Gjykata është e mendimit, se duke pasur parasysh se periudha filloi të përllogaritej prej momentit kur aplikanti nuk ishte në dijeni për ekzistencën e vendimit të Gjykatës së Larë, me rezultatin se afati kohor kishte përfunduar në momentin kur aplikanti u bë me dije për atë vendim jo më herët se data 1 mars 2006, Gjykata Kushtetuese ia bëri të pamundur aplikantit të ushtronte me efikasitet të drejtën e tij për të paraqitur një ankesë kushtetuese ;
  • Gjykata është e mendimit se vendimi i kundërshtuar rezultoi në një mohim të pajustifikuar të së drejtës së aplikantit për akses në Gjykatën Kushtetuese; është shkelur neni 6§1 i Konventës.

6.       Sharrxhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, vendim i 11 janarit 2018

  • Aplikantit pretendonin shkelje të nenit 6§1 të Konventës, për shkak se autoritetet kishin neglizhuar urdhrin e përkohshëm, të datës 7 nëntor 2013, duke pezulluar ekzekutimin e urdhrit të shembjes. Më tej, ata parashtruan se mosrespektimi i urdhrit të përkohshëm nga ana e autoriteteve kishte shkaktuar një shkelje të të drejtave të tyre procedurale dhe i kishte penguar që meritat e ankesës së tyre të shqyrtoheshin në mënyrën e duhur në procedimet përpara Gjykatës së Rrethit. Gjithashtu, ata u ankuan për një mungesë të një mjeti efikas për këtë situate, pra shkelje të Nenit 13 të Konventës
  • Gjykata mendon se çështja e shfrytëzimit të mjeteve të brendshme është e lidhur ngushtë me meritat e ankesës së aplikantëve për mungesën e një mjeti efikas për ndërhyrjen e pretenduar në të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë; Kështu, Gjykata bashkon aspektin nëse aplikantët shfrytëzuan mjetet e brendshme për meritat e ankesës së tyre, sipas nenit 13, në lidhje me nenin 6§1 të Konventës
  • Gjykata mendon se autoritetet vendëse nuk arritën të kompensonin aplikantët në lidhje me ankesën e tyre për moszbatim të urdhrit të përkohshëm në favor të tyre dhe se ata mund të vijojnë të pretendojnë të jenë viktima të një shkeljeje të pretenduar.
  • Gjykata vëren se nuk ka asnjë informacion në dosjen e çështjes në lidhje me faktin nëse ato vendime u bënë të formës së prerë në nivel vendor dhe, nëse po, nëse autoritetet i zbatuan ato. Më tej, Gjykata vëren se në çështjet konkrete, autoritetet nuk proceduan me ndonjë shpronësim në interesin publik, duke qenë se rrethanat ishin ndryshe nga ato në çështjen konkrete. Së dyti, Gjykata vëren se aplikantët nuk u ankuan në Gjykatë për një moskompensim të dëmit monetar për moszbatimin e urdhrit të përkohshëm të datës 7 nëntor 2013 dhe as se autoritetet nuk zbatuan masën e përkohshme, çka e bënte të pamundur faktin që meritat e çështjes së tyre të shqyrtoheshin në mënyrën e duhur.
  • Gjykata konstaton se në Shqipëri nuk kishte asnjë mjet efikas në lidhje me moszbatimin e vendimeve të formës së prerë dhe kohëzgjatjen e procedimeve në kohë fizike. Në vijim, ajo vëren se Gjykata Kushtetuese, përveç konstatimit shpjegues të një shkeljeje, ku vendimet e formës së prerë të gjykatave nuk zbatohen (shih paragrafin 68 më sipër), nuk mund të ofrojë ndonjë mjet korrigjimi për të kompensuar situatën. Nën këto rrethana, Gjykata konstaton se nuk kishte dhe ende nuk ekzistojnë mjete efikase të disponueshme për aplikantit në lidhje me moszbatimin e urdhrit të përkohshëm.
  • Gjykata arrin në përfundimin se ka pasur një shkelje të nenit 6§1 të Konventës.
  • Gjykata është e mendimit se autoritetet kombëtare nuk respektuan në praktikë vendimin e dhënë nga Gjykata Administrative e Rrethit Vlorë, më 7 nëntor 2013, duke e privuar nenin 6§1 të kishte ndonjë efekt të dobishëm; është shkelur neni 6§1 i Konventës;
  • është shkelur neni 13 së bashku me nenin 6§1 të Konventës
  • është shkelur neni 6§1 i Konventës;

7.       Topallaj kundër Shqipërisë, vendim i 21 prillit 2016

  • Kohëzgjatje e procedurave të brendshme për 9 vjet, 4 muaj, 8 ditë;
  • Kthim për rigjykim disa herë i çështjes;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me nenin 13 [shkelje]; dhe nenin 46.

8.       Bici kundër Shqipërisë, vendim i 3 dhjetorit 2015

  • kohëzgjatja e procedurave të brendshme lidhur me njohjen, kthimin dhe/ose kompensimin e pronës (11 vjet, 9 muaj dhe 18 ditë para një niveli të vetëm juridiksioni).

9.     Marku kundër Shqipërisë, vendim i 15 korrikut 2014

  • kufizim i të drejtës për t'iu drejtuar gjykatës;
  • aplikanti ka marrë një vendim në favor të tij, por nuk ishte në gjendje të niste procedura për të marrë një përcaktim final përsa i përket kërkesës së tij në lidhje me njohjen e statusit të veteranit të luftës.

10.   Luli dhe të tjerë kundër Shqipërisë, vendim i 1 prillit 2014

  • kohëzgjatja e procedurave të brendshme;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me nenin 46.

11.   Izet Haxhia kundër Shqipërisë, vendim i 5 nëntorit 2013

  • aplikanti nuk kishte njohuri të mjaftueshme të procedurave ligjore kundër tij;
  • ai nuk hoqi dorë nga e drejta e tij për të dalë në gjyq;
  • aplikanti nuk e pati mundësinë e një rishqyrtimi të themelit të akuzave kundër tij nga një gjykatë, e cila do ta kishte dëgjuar atë në nëe proces, i cili do të ishte në përputhje me garancitë për një gjykim të drejtë sipas Nenit 6.

12.   Kaçiu dhe Kotorri kundër Shqipërisë, vendim i 25 qershorit 2013

  • e drejta për të pasur një avokat është e nevojshme që nga momenti i marrjes në pyetje nga policia, përveç nëse ekzistojnë arsye të forta që e përjashtojnë diçka të tillë;
  • nuk i takon gjykatës të përcaktojë se çfarë është provë e pranueshme apo çfarë është një gabim i faktit apo ligjit;
  • pranimi i deklaratave të marra si rezultat i torturës ose keqtrajtimeve të tjera në shkelje të nenit 3 e bën të gjithë procedimin të padrejtë, pavarësisht nga vlera e këtyre deklaratave dhe pavarësisht nëse përdorimi i tyre është vendimtar për dënimin e të pandehurit;
  • procesi, në tërësi u konsiderua i padrejtë për shkak të pranimit dhe përdorimit të deklaratës inkriminuese të aplikantit të parë të marrë nëpërmjet torturës;
  • kohëzgjatja e procedurave - tepër të gjata, mbi 6 vjet;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 3 [shkelje].

13.   Delvina kundër Shqipërisë, vendim i 21 majit 2013

  • u vendos për shpërblim të drejtë;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1.

14.   Manushaque Puto dhe të tjerët kundër Shqipërisë, vendim i 31 korrikut 2012

  • mungesë e zbatueshmërisë për 15 deri 17 vjet;
  • nuk ka arsye për të vendosur ndryshe nga jurisprudenca e mëparshme që vonesa të tilla i konsideron shkelje
  • Shteti nuk mund të përdorë mungesën e disponueshmërisë së fondeve si justifikim për shlyerjen e detyrimeve të vendimeve;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 i lexuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje], Nenin 1 te Protokollit Nr. 1 [shkelje] dhe Nenin 46

15.   Cani kundër Shqipërisë, vendim i 6 marsit 2012

  • është e një rëndësie themelore që i pandehuri të paraqitet në gjykimin e tij si për shkak të së drejtës së tij për gjykim, ashtu edhe për shkak të nevojës për të verifikuar saktësinë e deklaratave të tij dhe për t'i krahasuar me ato të viktimës dhe të dëshmitarëve;
  • paraqitja e të pandehurit personalisht nuk merr të njëjtën rëndësi thelbësore për një seance apeli, siç ka për gjykimin, pasi në to nuk përcaktohen fakte, por thjesht interpretohen rregulla ligjore;
  • megjithatë, kur një gjykate apeli bën një rivlerësim të fajësisë apo pafajësisë, ajo nuk mund t'a përcaktojë pa një vlerësim të drejtpërdrejtë të provave të dhëna personalisht;
  • në asnjë fazë të procedimeve në apel aplikanti nuk pati mundësi të argumentonte personalisht se ekzistonin faktorë lehtësues;
  • duhej të ishte dëgjuar në seancë.

16.   Shkalla kundër Shqipërisë, vendim i 10 majit 2011

  • e drejta për t'iu drejtuar gjykatës nuk është absolute;
  • u nënshtrohet kufizimeve që rrjedhin veçanërisht në lidhje me kushtet e pranueshmërisë së një ankimi;
  • kufizimet nuk duhet të kufizojnë apo pakësojnë aksesin e një personi në një mënyrë apo shtrirje të tillë që dëmton vetë thelbin e së drejtës;
  • kufizime të tilla nuk janë në përputhje me nenin 6 § 1, nëse ato nuk ndjekin qëllimin e legjitimuar ose nëse nuk ekziston një marrëdhënie e arsyeshme e proporcionalitetit ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit të ndjekur;
  • informimi i një personi mbi procedimin penal të filluar ndaj tij është një akt ligjor me një rëndësi të tillë që duhet të zbatohet në përputhje me kërkesat procedurale dhe të mirëfillta të afta për të siguruar ushtrimin efektiv të të drejtave të akuzuarit;
  • dijenitë e paqarta dhe të parregullta nuk mjaftojnë;
  • nuk është treguar se ankuesi kishte dijeni të mjaftueshme të procedurave ligjore ndaj tij;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 46

17.   Caush Driza kundër Shqipërisë, vendim i 15 marsit 2011

  • mosekzekutimi i vendimit;
  • analogji me Beshiri dhe të tjerët, Driza dhe Vrioni dhe të tjerët;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje, nenin 1 te Protokollit Nr. 1 [shkelje].

18.   Delvina kundër Shqipërisë, vendim i 8 marsit 2011

  • mosekzekutimi i vendimit;
  • aplikanti nuk duhet të nisë procedurat e zbatimit që një vendim të ekzekutohet; analogji me Beshiri dhe të tjerët, Driza dhe Vrioni dhe të tjerët;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje, Nenin 1 te Protokollit Nr. 1 [shkelje] dhe Nenin 46.

19.   Eltari kundër Shqipërisë, vendim i 8 marsit 2011

  • mosekzekutimi i vendimit;
  • analogji me Beshiri dhe të tjerët, Driza dhe Vrioni dhe të tjerët;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje], Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 [shkelje] dhe Nenin 46.

20.   Mishgjoni kundër Shqipërisë, vendim i 7 dhjetorit 2010

  • mosekzekutimi i vendimit;
  • kohëzgjatja e procedurave në 3 nivelet e juridiksionit për 8 vjet; vonesa nuk ishte për faj të aplikantit;
  • interesi i madh vetjak i të punësuarit në sigurimin e një vendimi gjyqësor menjëherë;
  • një vonesë e përgjithshme prej thuajse katër vitesh për të shqyrtuar sërisht çështjen e aplikantit nuk e plotëson kërkesën e "kohës së arsyeshme" sipas Konventës;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje].

21.   Puto dhe të Tjerët kundër Shqipërisë, vendim i 20 korrikut 2010

  • mosekzekutimi i vendimit cenon vet thelbin e të drejtës së aplikantit për t'iu drejtuar gjykatës;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje, Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 [shkelje].

22.   Berhani kundër Shqipërisë, vendim i 27 majit 2010

  • ligjshmëria e procesit gjyqësor;
  • u takon gjykatave vendase të vlerësojnë provat para tyre, të vërtetojnë faktet dhe të interpretojnë të drejtën e brendshme;
  • në parim Gjykata nuk ndërhyn, përveç, rasteve kur vendimet e marra nga gjykatat e brendshme janë arbitrare ose haptazi të paarsyeshme;
  • mund të jetë e nevojshme që gjykatat të shfrytëzojnë deklaratat e bëra gjatë fazës së hetimit penal, nëse i akuzuari kishte mundësi të mjaftueshme dhe të përshtatshme për t'i kundërshtuar këto deklarata në kohën që u morën ose në një fazë të mëvonshme të procesit gjyqësor;
  • dëshmitarët nuk ishin marrë në pyetje nga aplikanti ose përfaqësuesi i tij gjatë hetimit penal;
  • autoritetet nuk iu përgjigjën ankesave që ngriti aplikanti në lidhje me mangësitë serioze në cilësinë e provave; u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 6 [nuk u konstatua shkelje ne lidhje me kohëzgjatjen e procedurave].

23.   Laska dhe Lika kundër Shqipërisë, vendim i 20 prillit 2010

  • kontradiktoriteti; barazia e mjeteve;
  • mundësia e palëve në gjykim për të pasur njohuri dhe të kundërshtojnë të gjitha provat e paraqitura ose vëzhgimet e depozituara për të influencuar në vendimin e gjykatave;
  • prezumimi i pafajësisë;
  • avokatit t'i jepet akses që në hetimin e parë të të dyshuarit nga policia, përveç nëse është e justifikuar nën dritën e rrethanave të veçanta të çdo çështjeje që ka arsye bindëse për të kufizuar këtë të drejtë;
  • aplikantët nuk u lejuan të ngrinin shqetësime për parregullsitë; procedura e identifikimit u mbajt në mungesë të avokatëve;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 46.

24.   Mullai dhe të tjerë kundër Shqipërisë, vendim i 23 marsit 2010

  • mungesa e sigurisë juridike;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje].

25.   Bushati dhe të tjerë kundër Shqipërisë, vendim i 8 dhjetorit 2009

  • mosekzekutimi i vendimit;
  • vendimi ishte në lidhje me dëbimin e individëve nga prona e aplikantëve; këta të fundit nuk mund të ishin përgjegjës për shpenzimet e dëbimit;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 1 te Protokollit Nr.1 [shkelje].

26.   Caka kundër Shqipërisë, vendim i 8 dhjetorit 2009

  • Neni 6 § 3 (d) dhe Neni 6 § 1;
  • mosgarantimi i paraqitjes së dëshmitarëve;
  • mosdhënia e rëndësisë së duhur dëshmive të dëshmitarëve.
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 6 [jo shkelje - mungesa e përfaqësimit, mosdhënia e lejes për pyetje të dyfishtë për disa dëshmitarë].

27.   Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë, vendim i 29 shtatorit 2009

  • mosekzekutimi i vendimit;
  • kohëzgjatja e procedurave për 11 vjet; moszbatim për 5 vjet;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje], Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje] dhe Nenin 46.

28.   Gjyli kundër Shqipërisë, vendim i 29 shtatorit 2009

  • mosekzekutimi i vendimit;
  • vlerësimi i arsyetueshmërisë së vonesës;
  • asnjë tregues se ekzekutimi kishte ndonjë kompleksitet; aplikanti nuk e ka penguar zbatimin;
  • përgjegjësia e përmbaruesve në zgjatjen e vonesës;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje].

29.   Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë, vendim i 24 marsit 2009

  • cenimi i sigurisë juridike;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje].

30.   Hamzaraj kundër Shqipërisë, vendim i 3 shkurtit 2009

  • mosekzekutimi i vendimit;
  • kohëzgjatja e procedurave për 12 vjet;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje] dhe Nenin 46.

31.   Nuri kundër Shqipërisë, vendim i 3 shkurtit 2009

  • mosekzekutimi i vendimit;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje] dhe Nenin 46.

32.   Dauti kundër Shqipërisë, vendim i 3 shkurtit 2009

  • cenim i së drejtës për t'iu drejtuar gjykatës;
  • Komisioni i Ankesave përbëhej vetëm nga mjekë në detyrë dhe nuk kishte anëtarë të kualifikuar ligjorë apo gjyqësorë;
  • nuk kishte rregulla që të rregullonin mandatin e anëtarëve në detyrë, largimin e tyre, dorëheqjen apo ndonjë garanci për palëvizshmërinë e tyre;
  • Komisioni i Ankesave nuk ishte një gjykatë e pavarur dhe e paanshme.

33.   Xheraj kundër Shqipërisë, vendim i 29 korrik 2008

  • cenimi i sigurisë juridike;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 4 të Protokollit Nr.7 [ jo shkelje].

34.   Marini kundër Shqipërisë, vendim i 7 korrikut 2008

  • e drejta për t'iu drejtuar gjykatës;
  • kufizime të së drejtës t'iu drejtuar gjykatës; hapësira e vlerësimit;
  • kohëzgjatja e procedurave 7 vjet, 9 vjet, 5 vjet dhe 2 vjet. Kohëzgjatja e grupit të parë dhe të dytë të procedurave u konsideruan si të paarsyeshme;
  • arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të çështjes dhe duke iu referuar kompleksitetit të çështjes; veprimeve të aplikantit dhe autoriteteve; dhe çfarë rrezikonte aplikanti;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje] dhe Nenin 1 te Protokollit Nr.1 [shkelje].

35.   Driza kundër Shqipërisë, vendim i 13 nëntorit 2007

  • procedurat e drejta;
  • paanshmëria;
  • paanshmëri do të thotë mungesë paragjykimi, apo anësie;
  • paanshmëria e gjyqtarëve duhet të prezumohet derisa të provohet e kundërta;
  • vendimtare është nëse objektiviteti i këtyre dyshimeve është mjaftueshmërisht i bazuar;
  • 3 gjyqtarë të cilët kishin vendosur tashmë në lidhje me rastin ishin në mesin e 15 gjyqtarëve që do të vendosnin nëse vendimi i parë ishte i drejtë;
  • 3 gjyqtarë duhet të vendosnin mbi një çështje për të cilën ishin shprehur tashmë; moszbatim;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje], Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje].

36.   Ramadhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, vendim i 13 nëntorit 2007

  • kohëzgjatja e procedurave 12 vjet; mosekzekutim i vendimit;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje], Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje] dhe Nenin 46.

37.   Gjonboçari dhe të tjerët kundër Shqipërisë, vendim i 23 tetorit 2007

  • e drejta për t'iu drejtuar gjykatës;
  • mosekzekutim i vendimit;
  • kohëzgjatja e tepruar e procedurave;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 13 i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 [shkelje].

38.   Beshiri dhe të tjerët kundër Shqipërisë, vendim i 22 gushtit 2006

  • mosekzekutim i vendimit;
  • 5 vjet vonesë;
  • nuk ishin marrë masat nga shteti ose nga përmbaruesit për respektimin e vendimit;
  • u shqyrtuan gjithashtu pretendimet në lidhje me Nenin 1 të Protokollit Nr.1 [shkelje].

39.   Qufaj Co. sh.p.kundër kundër Shqipërisë, vendim i 18 nëntorit 2004

  • e drejta për t'iu drejtuar gjykatës nuk do të ishte reale, nëse sistemi ligjor i një shteti do të lejonte që një vendim gjyqësor i detyrueshëm dhe përfundimtar të mos zbatohej në dëm të njërës palë;
  • autoriteti shtetëror nuk mund të përdorë mungesën e fondeve si justifikim për të mos respektuar një detyrim financiar të përcaktuar në vendim;

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.