Funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese dhe rifillimi i veprimtarisë së plotë të saj
Sot është një ditë e shënuar për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Me emërimin e dy anëtarëve të rinj të saj krijohet kuorumi i nevojshëm ligjor për rinisjen e funksionalitetit dhe veprimtarisë vendimmarrëse që pas ndërprerjes në mars të vitit 2018.
Ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një kërkesë jetike për vendin, për shkak të rolit dhe kompetencave që ajo ka si garante e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave themelore të individit. Ky proces ka qenë i gjatë e kompleks dhe ka kërkuar bashkëpunimin e shumë institucioneve shtetërore dhe më gjerë. Gjithashtu një mirënjohje e veçantë shkon edhe për mbështetjen e pakursyer të dhënë nga partnerët ndërkombëtarë për përmbylljen me sukses të këtij procesi.
Gjykata Kushtetuese është e angazhuar të ushtrojë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit të saj kushtetues, duke pasur besimin e plotë të kapërcimit të sfidave që janë përpara saj, në respektim të vlerave dhe standardeve me të rëndësishme kushtetuese.