| Bookmark and Share
Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Njoftim për shtyp

Një delegacion i nivelit të lartë të drejtuesve të institucioneve kushtetuese të sistemit të drejtësisë, pjesë e të cilit është edhe znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, po zhvillon një vizitë pune një javore në Gjermani dhe Strasburg (Francë), në datat 8 – 12 nëntor 2021.

Delegacioni ka zhvilluar një vizitë pranë Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane në Karlsruhe dhe është mirëpritur nga Prof. Dr. Doris King, Zëvendëskryetare e Senatit të Dytë, dhe znj. Dr. Sibylle Kessal-Wulf, gjyqtare në këtë Senat. Tema kryesore mbi të cilën janë zhvilluar bisedimet ka qenë:“Detyrat dhe qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese Federale në një vend demokratik të shtetit të së drejtës”, e lidhur kjo edhe me qëndrueshmërinë dhe evoluimin e jurisprudencës, si dhe me ankimin kushtetues.

Po ashtu, është zhvilluar një vizitë pranë Institutit Max-Planck për të Drejtën Publike Ndërkombëtare dhe të Krahasuar. Dr. Matthias Hartwig ka referuar mbi temën “Marrëdhënia e gjykatave kombëtare me Gjykatën Evropiane”. Më pas, delegacioni ka zhvilluar një vizitë pranë Gjykatës Administrative dhe është pritur nga Z. Volker Ellenberger, Kryetar i Gjykatës Administrative të Baden-Württemberg-ut dhe Prof. Dr. Jan Bergmann, gjykatës i parë në Gjykatën Administrative. Tema e diskutuar gjatë kësaj vizite ka qenë “Përgjegjësitë dhe bashkëpunimi i Gjykatës Administrative”.

Në datën 10 nëntor, delegacioni i nivelit të lartë ka zhvilluar një vizitë edhe pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Temat e diskutuara në kuadër të kësaj vizite kanë qenë: ‘çështje të paanshmërisë dhe pavarësisë së gjyqësorit’, ‘çështje të reduktimit të ngarkesës së çështjeve/përvoja e GjEDNJ-së dhe praktikat e mira në këtë drejtim’, si dhe ‘çështjet kryesore të jurisprudencës së GjEDNJ-së lidhur me Shqipërinë’. Gjatë takimit, në të cilin kanë asistuar disa gjyqtarë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, gjyqtari i zgjedhur për Shqipërinë, z. Darian Pavli, dhe ekipi ligjor shqiptar, Kryetarja Tusha ka ndarë përvojën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare duke u fokusuar kryesisht te tipologjia e çështjeve që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në vijim, delegacioni ka zhvilluar një vizitë në Bundestagun gjerman dhe është pritur në një takim nga Dr. Volker Ulrich, deputet. Gjatë këtij takimi është diskutuar për ecurinë e reformës gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, si dhe për rëndësinë që ajo mbart në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë ditës së nesërme, delegacioni shqiptar do të vizitojë Akademinë e Fondacionit Konrad Adenauer, i cili ka qenë edhe organizatori e mbështetësi i këtij aktiviteti. Gjatë kësaj vizite delegacioni do të pritet nga z. Frank Priess, zëvendësdrejtor për Bashkëpunimin Evropian dhe Ndërkombëtar, si dhe z. Ferdinand Gehringer, Departamenti AuB për Demokracinë, Drejtësinë dhe Partitë.

  01  photo-2021-11-11-16-39-44(1)  photo-2021-11-11-16-39-44

         photo-2021-11-11-16-39-45                  photo-2021-11-11-16-39-46

                 photo-2021-11-19-21-12-04

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.