Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Njoftim vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 19.12.2023, shqyrtoi në seancë plenare publike çështjen nr. 9 (Gj) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkuese Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me objekt kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 377 të Kodit Civil, i cili parashikon: “ Trashëgimlënësi që nuk lë të paslindur ose të paralindur, ose vëllezër apo motra ka të drejtë të disponojë me testament pasurinë e vet, në favor të çdo personi fizik apo juridik.”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, më 27.12.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkueset, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe Avokatit të Popullit, në mënyrë të përmbledhur vlerësoi se:

Kërkesat e paraqitura plotësojnë kriteret kumulative për fillimin e gjykimit incidental, sipas nenit 145, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 68 të ligjit nr. 8577/2000 “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, ndaj gjykatat referuese legjitimohen për t’iu drejtuar kësaj Gjykate.

Në lidhje me themelin e çështjes, Gjykata vlerësoi se përmbajtja e nenit 377 të Kodit Civil cenon të drejtën e pronës private, të garantuar nga neni 41 i Kushtetutës. Kjo dispozitë vendos kufizim për sa i përket rrethit të trashëgimtarëve testamentare si dhe nuk garanton disponimin lirisht sipas vullnetit të trashëgimlënësit në asnjë pjesë të pasurisë së tij. Kufizimi, edhe pse i përgjigjet interesit publik, nuk është proporcional sipas kritereve të vendosura nga neni 17 i Kushtetutës. Për rrjedhojë, dispozita përmban një boshllëk ligjor që sjell pasoja negative për të drejtat e trashëgimlënësit.

Në përputhje me arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për ligjvënësin lind detyrimi që brenda një viti nga hyrja në fuqi e vendimit të miratojë rregullimet përkatëse ligjore për plotësimin e boshllëkut të konstatuar. Po në këtë drejtim, në kuadër të ndryshimeve shoqërore dhe institucionale është e nevojshme që ligjvënësi të vlerësojë dispozitat që lidhen me institutin e trashëgimisë testamentare në Kodin Civil për ta përshtatur atë me zhvillimet e kohës.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Konstatimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 377 të Kodit Civil, për shkak të boshllëkut ligjor sipas arsyetimit të këtij vendimi.

3. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë të plotësojë boshllëkun ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e vendimit.

4. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.