Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Sot, më 23.12.2024, ora 13:00, u çel seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj, për deklarimin e mbarimit të mandatit të saj si gjyqtare kushtetuese.

Në fillim të seancës Gjykata administroi një opinion me shkrim të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe disa kërkesa procedurale të saj. Në lidhje me këto të fundit Gjykata vendosi: njëzëri, rrëzimin e kërkesës për pezullimin e shqyrtimit të çështjes deri në dhënien e opinionit të Komisionit të Venecias sipas kërkesës së bërë prej saj në datën 10.12.2024; me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës për kërkimin nga Gjykata të një opinioni amicus curiae nga Komisioni i Venecias dhe pezullimin e shqyrtimit të çështjes sipas ligjit. Ndërsa për sa i përket kërkesës së tretë, për pezullimin e zbatimit të aktit Njoftim të Kryetarit të Gjykatës së Lartë për shpalljen e vakancës dhe procedurës së bazuar mbi këtë akt, Gjykata vendosi, njëzëri, që ta shqyrtojë bashkë me themelin e çështjes.

Pasi u tërhoq për vendimmarrje, Gjykata vlerësoi se çështja e parashtruar është në kompetencën e saj sipas nenit 127, pika 2, të Kushtetutës; se ajo është vënë në lëvizje në mënyrën e parashikuar nga ligji organik; dhe se ajo është e detyruar të japë vendim për çështjen pavarësisht datës së saktë të mbarimit të mandatit.

Gjykata vuri re se qëndrimi në detyrë dhe kohëzgjatja e mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj lidhet me kuptimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, të normave të tjera kushtetuese, për aq sa ato lidhen me të, normave të ligjit organik të Gjykatës, si dhe akteve të procedurës së zgjedhjes/emërimit të saj.

Gjykata konstatoi se pas reformës kushtetuese të vitit 2016 ky është rasti i parë kur ajo përballet me përmbajtjen dhe zbatimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, i shtuar me ligjin nr. 76/2016.

Duke marrë shkas nga faktet që u verifikuan në këtë çështje, Gjykata thekson se hapja e procedurës për plotësimin e një vendi vakant duhet të fillojë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit të anëtarit të saj sipas nenit 127, pika 2, të Kushtetutës dhe Kryetari i saj ka njoftuar organin përkatës të emërtesës sipas nenit 9, pika 3, të ligjit organik. Kur organi i emërtesës vlerëson se Gjykata Kushtetuese nuk ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t`ia kërkojë Gjykatës këtë gjë me shkrim, duke parashtruar edhe argumentet përkatëse lidhur me mbarimin e mandatit të gjyqtarit për të cilin është organ emërtese sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në këtë rast Gjykata duhet të shprehet me vendim, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim. Kjo mënyrë e të vepruarit bazohet në parimin e luajalitetit kushtetues dhe garanton ushtrimin pa pengesa të kompetencave nga çdo organ në procedurën e zgjedhjes/emërimit të gjyqtarit kushtetues dhe, çka është më e rëndësishme, pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi: “ Deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj, në datën 10.03.2025”.

Në arritjen e këtij përfundimi Gjykata vlerësoi se, neni 179, pika 3, i Kushtetutës nuk përcakton datën e mbarimit të mandatit, por vetëm vitin 2025. Edhe neni 86 i ligjit organik të Gjykatës përmban të njëjtin parashikim me normën kushtetuese. Po ashtu, dhe akti i zgjedhjes të kësaj gjyqtareje (vendimi nr. 2, datë 16.01.2023 i Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë) është shprehur se zonja Holta Zaçaj zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese deri në kryerjen e përtëritjes në vitin 2025.

Gjykata vuri re se qëllimi i nenit 179, pika 3, të Kushtetutës është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës. Ajo, konstatoi, gjithashtu, se teksti i kësaj dispozite, në ndryshim nga neni 125, pika 7, i Kushtetutës, nuk flet për gjyqtarë pasardhës, por për gjyqtarin që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017.

Po kështu, Gjykata mbajti në konsideratë se Kushtetuta parashikon si datë të fillimit të detyrës betimin para Presidentit të Republikës (neni 129), kurse neni 8, pika 3, i ligjit organik, ndërsa përmban të njëjtin parashikim për fillimin e mandatit, përcakton se mbarimi i tij është në datën e njëjtë të atij muaji të vitit të nëntë, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.

Në aktet e njoftimit të vakancës, organi i emërtesës, Gjykata e Lartë, ka specifikuar se gjyqtari i ri që zgjidhet qëndron në detyrë deri në mars 2025. Gjykata rithekson se parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë.

Gjykata, duke mbajtur në konsideratë se Gjykata e Lartë ka hapur në datën 11.12.2024 procedurën për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke llogaritur si datë të mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj datën 10.03.2025, si dhe duke pasur parasysh se kjo Gjykatë arriti në të njëjtin përfundim në lidhje me datën e mbarimit të mandatit të kësaj gjyqtareje, vlerësoi se vendimi i saj nuk ndikon në procedurën e vënë në lëvizje nga Gjykata e Lartë.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.