| Bookmark and Share
Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Njoftim

Aktivitet i përbashkët mes Gjykatës Kushtetuese dhe Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Sot, më 14 dhjetor 2022, u zhvillua një takim kortezie midis Kryetares së Gjykatës Kushtetuese znj. Vitore Tusha dhe Kreut të ri të OSBE-së në Shqipëri z. Guido De Sanctis.

Në ceremoninë për ndarjen e çmimeve për fituesit e Konkursit për Hartimin e Ankimit Kushtetues Individual (2022), të zhvilluar me pjesëmarrjen e studentëve nga e gjithë Shqipëria, një bashkëpunim i Gjykatës Kushtetuese dhe Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, përshëndetën Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Kreu i Prezencës së OSBE-së, si dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Përparim Kalo.

Në këtë aktivitet u angazhuan rreth 200 studentë të cilët më parë morën pjesë edhe në sesionet trajnuese. Në përfundim të këtij procesi, u paraqitën 27 prezantimet më të mira që preknin një sërë çështjesh kushtetuese mjaft interesante dhe përfaqësonin studentë nga qytetet e Vlorës, Shkodrës dhe Tiranës, nga universitete publike dhe private. Ish-gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese morën pjesë në komisionin e ngritur për vlerësimin e aplikimeve dhe përzgjedhjen e prezantimeve më të spikatura.

Reforma kushtetuese në drejtësi e vitit 2016, zgjeroi rrethin e subjekteve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në drejtim të ankimit kushtetues individual, duke mundësuar ankimet e individëve kundër çdo lloj akti të pushtetit publik që shkel të drejtat dhe liritë e tyre themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Aktivitete të tilla ju shërbejnë studentëve të drejtësisë të zbatojnë në praktikë dhe të thellojnë më tej njohuritë e tyre në fushën e të drejtave të njeriut dhe gjithashtu janë të frytshme për rritjen e ndërgjegjësimit për këto të drejta.

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.