Në datën 30.10.2024, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga shtetasi rus Igor Kokunov për pezullimin e procedurave për ekstradimin e tij në Federatën Ruse.
Mbledhja e Gjyqtarëve duke vlerësuar, në kuptim të përmbajtjes së nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si urgjencën për marrjen e masës, ashtu edhe natyrën e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, në drejtim të shkeljeve kushtetuese dhe konventore, arriti në përfundimin se ndodhet në kushtet që imponojnë pezullimin e përkohshëm të kësaj procedure.
Për rrjedhojë, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e po kësaj date, vendosi “ Pezullimin e p ërkohshëm të procedurave të ekstradimit të shtetasit rus Igor Kokunov deri në një vendimmarrje të dytë të Gjykatës Kushtetuese, kohë gjatë të cilës kërkuesi vijon të qëndrojë në kushtet e izolimit në pritje të ekstradimit të tij.”, vendim të cilin e gjeni në version të plotë në link-un më poshtë.
Ky vendim, në përputhje me parashikimet e nenit 45, pika 2, të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, iu njoftua menjëherë institucioneve kompetente të përfshira në procedurën e ekstradimit të kërkuesit.