| Bookmark and Share

Tryezë e rrumbullakët me temë “Pavarësia e Gjykatave Kushtetuese"

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe Fondacioni gjerman Konrad Adenauer organizuan sot tryezën e rrumbullakët me temë “Pavarësia e Gjykatave Kushtetuese”. Aktiviteti i përbashkët, promovoi edhe librin “Vendime të Përzgjedhura të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane” dhe u organizua kur, përherë e më tepër, po flitet për nevojën e konsolidimit të shtetit të së drejtës, si domosdoshmëri për të ardhmen tonë europiane.

“...Nuk mund të ketë shtet të së drejtës pa një gjyqësor të pavarur, me integritet të lartë moral dhe profesional”, theksoi në fjalën e tij Kryetari i GJK Dr. Vladimir Kristo.

Në aktivitet u vlerësua mjaft jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese gjermane, si një nga gjykatat kushtetuese më të vjetra dhe më cilësore sa i përket vendimmarrjes. Botimi i sjellë në shqip për komunitetin juridik, dhe jo vetëm, do të jetë një ndihmesë për gjyqtarët kushtetues shqiptarë, të cilët duhet “...të mësojnë nga përvoja dhe nga gabimet tona”, siç u shpreh Dr. Matthias Hartwig.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të KLD, Avokatit të Popullit, Gjykatës së Lartë, gjykatave të shkallës së parë dhe apelit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe të botës akademike.

Aktiviteti u fokusua në diskutime dhe mendime lidhur me pavarësinë e gjyqësorit në përgjithësi dhe drejtësinë kushtetuese në veçanti. Kryetarja e këtij fondacioni, Dr.iur Stefania Ricarda Roos, u shpreh se Fondacioni do jetë pranë Shqipërisë, ashtu si dhe në vendet e tjera të rajonit, për të ndihmuar në shkëmbimin e përvojave, rritjen e cilësisë së vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, sidomos në respektimin të drejtave dhe lirive themelore të individit. Aktiviteti u përshëndet dhe nga zëvendës ambasadori i Republikës së Gjermanisë në Shqipëri, Z.Jan Rudolph.

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.