Në datat 20 dhe 21 shtator 2007, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i kësaj Gjykate, Dr. Vladimir Kristo, dhe i përbërë nga Z. Hajredin Fuga, Këshilltar i Kryetarit, dhe Z. Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm, zhvilloi në Athinë, Greqi, një vizite studimore 2 ditore që përmbante në agjendën e saj takime me homologë dhe personalitete të tjera të shquara të shtetit fqinj grek në fushën e drejtësisë.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese zhvilloi takime me Kryetarin e Këshillit të Shtetit të Republikës së Greqisë, Zotin Georgios Panagiotopoulos, Kyetarin e Gjykatës së Lartë – Areios Pagos, Zotin Romilos Kedikoglou, si dhe takime me funksionarë të nivelit të lartë të Ministrisë së Drejtësisë të Greqisë. Në këto takime, autoritet shkëmbyen përvojat dhe eksperiencat e vendeve të tyre lidhur me organizimin dhe funksionimin e institucioneve respektive, në frymën e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjelltë ndërmjet këtyre institucioneve të rendësishme të shtetit të së drejtës.
Në pritjen e organizuar në Këshillin e Shtetit të Republikës së Greqisë ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Greqi, Sh.T.Z. Vili Minarolli.