| Bookmark and Share

15 vjetori i Kushtetutës

Konferencë ndërkombëtare me temë “Kushtetuta - Instrument Qëndrueshmërie dhe Zhvillimi”, organizuar me rastin e 15-vjetorit të kushtetutës, 22 Nëntor 2013

  
Me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias dhe me Fondacionin “Hanns Seidel”, organizoi në datën 22 nëntor 2013, në Tiranë, Konferencën shkencore me temë “Kushtetuta si Instrument Qëndrueshmërie dhe Zhvillimi”, me pjesëmarrjen e konstitucionalistëve të shquar, akademikëve, gjyqtarëve kushtetues, dhe përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera të pavarura në Shqipëri.

Në Konferencë morën pjesë dhe përshëndetën Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani, Kryeministri, Z. Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Z. Ilir Meta, ambasadori i BE në Shqipëri, Z. Ettore Sequi, si dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Z. Hellmut Hoffmann.
 
Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Z.Bashkim Dedja, i cili, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, ndër të tjera, tha: “Në këto 15 vjet në veprim, Kushtetuta ka luajtur rol të rëndësishëm jo vetëm si akti kryesor dhe epror në sistemin normativ të akteve juridike, por edhe në sistemin e institucioneve dhe praktikave shtetërore, politike e sociale të vendit.”

“Pavarësisht jurisprudencës kushtetuese, - vazhdoi më pas Z.Dedja,- vetë Kushtetuta, si një akt i cili duhet t’i përgjigjet dinamikave shoqërore, ka nevojë për përmirësime. Kushtetutat duhet të jenë të qëndrueshme, por edhe të ndryshueshme.  Ndërsa ka një konsensus të gjerë mbi faktin se Kushtetutat nuk munden, por as nuk duhet të jenë plotësisht të pandryshueshme, ka një hapësirë të gjerë mendimi mbi diskutimin se sa elastike ato duhet të jenë.”
 
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani, duke e quajtur Kushtetutën si “guri i themelit të shtetit”, theksoi se :“Superioriteti i Kushtetutës në hierarkinë e piramidës së burimeve të së drejtës, është shumë i rëndësishëm për krijimin dhe ruajtjen e strukturës shtetërore. Besoj se kjo epërsi e mban Kushtetutën jashtë zhvillimeve të politikës së zakonshme, por jo larg vëmendjes së saj, duke bërë që strukturat themelore të shtetit të qëndrojnë mbi politikat elektorale dhe të sigurojnë paprekshmërinë e sistemit shtetëror pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve si dhe çka është më e rëndësishme, pavarësisht nga forcat politike që do të fitojnë zgjedhjet"
 
Kryetari i Kuvendit, Z. Ilir Meta, ndër të tjera, theksoi në fjalën e tij se “Unë besoj sinqerisht se ne e kemi të gjithë  maturinë dhe pjekurinë e nevojshme për të pasur qasjen e duhur ndaj Kushtetutës. Për një bashkëjetesë reciproke me njëra-tjetrën, me një debat politik, profesional dhe ekspertizë e posaçme që do të konsideronte ndërhyrje nëse do të gjykohet të domosdoshme në të mirë të vendit dhe të ardhmes evropiane të tij.”
 
Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, kryeministri Z.Edi Rama u shpreh mirënjohës për mundësinë që iu dha për ta përshëndetur këtë eveniment.

“Kushtetuta është një akt themelor dhe baza ku mbështetet gjithë procesi i bashkëjetesës mes njerëzve të një vendi, por edhe gjithë funksionimi i një vendi. Besoj që sot është dita për të çmuar edhe rolin e veçantë që ka luajtur Gjykata Kushtetuese e këtij vendi në zbatimin e Kushtetutës, në këto 15 vite. Kushtetuta e ka të nevojshme Gjykatën Kushtetuese, vendimmarrjet e saj, si një kontribut i domosdoshëm për ta interpretuar në momente të caktuara, por njëkohësisht, edhe për ta konsoliduar në parimet dhe në konceptet e veta Kushtetutën, duke iu përgjigjur nevojës së kujtdo për interpretimin e saj”-theksoi z. Rama në fjalën e tij.
 
Ambasadori i BE-së, Z.Ettore Sequi gjatë fjalës së tij shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e festimeve për 15-vjetorin e themeleve të shtetit modern shqiptar. “Këto themele u konceptuan nga disa prej mendjeve më të mençura të kësaj shoqërie dhe u miratuan nëpërmjet referendumit nga sovrani, pra nga populli shqiptar. Këto themele u konceptuan dhe miratuan me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror, por ato mbrohen para së gjithash nga Gjykata Kushtetuese”,- deklaroi Ambasadori Sequi.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Z.Hellmut Hoffmann gjatë fjalës së tij në konferencë u shpreh se “Me qëllim nxitjen e mëtejshme të objektivit, Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, për realizimin e të cilit forcimi i shtetit të së drejtës është një çështje me rëndësi primare, mbetet vetëm të mirëpresim ngrohtë faktin që përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore dhe sistemit gjyqësor, akademikë të shquar të së drejtës kushtetuese, mblidhen së bashku për të reflektuar mbi situatën në të cilën ndodhet sot Shqipëria, për sa i përket të drejtës kushtetuese dhe zhvillimit të realitetit kushtetues gjatë 15 viteve të ekzistencës së Kushtetutës.”  
 
Konferenca i vazhdoi punimet në dy sesione, sipas programit, me referatet e mbajtura nga konstitucionalistë, gjyqtarë kushtetues dhe akademikë, si dhe me diskutime të pjesëmarrësve për çështje të jurisprudencës kushtetuese. Në përfundim të Konferencës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Z.Bashkim Dedja, mbajti fjalën e mbylljes duke falënderuar pjesëmarrësit si dhe bashkëorganizatorët e këtij aktiviteti për kontributin e dhënë.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.