| Bookmark and Share

Institucioni

godina

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton në nenin 7 të saj ndarjen e pushteteve duke e vënë atë në themel të funksionimit të demokracisë. Në një republikë demokratike pushteti ekzekutiv dhe parlamentar bashkëpunojnë ngushtë në mënyrë që të nxjerrin dhe zbatojnë aktet ligjore të duhura për ecurinë e shoqërisë. Ndërsa pushteti i tretë, ai gjyqësor, është i ngarkuar me detyrën për të mbrojtur qytetarët nga cenimet e paligjshme të të drejtave të tyre qoftë edhe nga organet e pushtetit publik. Detyra për garantimin dhe respektimin e Kushtetutës nga veprimtaria e pushtetit publik i është ngarkuar Gjykatës Kushtetuese. Ajo është instanca e fundit e ngarkuar me kontrollin ndaj akteve të nxjerra nga organet e pushtetit shtetëror duke u përqendruar në aspektin e pajtueshmërisë së tyre me dispozitat kushtetuese.
Drejtësia kushtetuese nënkupton tërësinë e institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e rendit juridik të një shteti. Ajo njihet ndryshe me termin “Rojë e Kushtetutës”. Për këtë arsye, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të kontrolluar procesin ligjvënës është cilësuar si kurorëzimi i shtetit të së drejtës. Prirja për të vënë nën kontroll kushtetues veprimtarinë e legjislativit, gjithmonë duke respektuar sovranitetin ligjvënës të tij, është kthyer në një tipar dallues në pothuaj të gjitha regjimet demokratike sot në botë. Prandaj edhe roli i institucionit të Gjykatës Kushtetuese po vjen duke u rritur sidomos në vendet e dala nga sistemet totalitare.
Çfarë nënkupton shprehja “Rojë e Kushtetutës”? Do të thotë në kuptimin e plotë të fjalës një organ, funksioni i të cilit është mbrojtja e Kushtetutës nga cenimet e mundshme të pushtetit shtetëror. Pra, bëhet fjalë për një garanci të Kushtetutës. Duke qenë se Kushtetuta është tërësi e normave të caktuara të vendosura nga ligjvënësi, cenimi i saj do të thotë kryerja e një veprimi apo mosveprimi që bie ndesh me këtë tërësi normash. Natyrisht që edhe Kushtetuta, ashtu si çdo akt normativ, mund të cenohet nga ata që janë të ngarkuar me zbatimin e saj. Kjo mund të ndodhë direkt (nga organe që janë të ngarkuar nga Kushtetuta për zbatimin e saj) ose indirekt (si rrjedhojë e nxjerrjes së ligjit në zbatim të Kushtetutës). Kërkesa për të mbrojtur Kushtetutën nga cenimet e organeve të caktuara legjislative dhe ekzekutive për zbatimin e saj, rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe ka të bëjë me ligjshmërinë e pushtetit shtetëror – ushtrimi i funksionit vetëm në zbatim të ligjit. Pikërisht, duke pasur parasysh këtë parim dhe duke menduar se një organ i tillë do të shërbejë në ngritjen dhe ruajtjen e institucioneve demokratike në vend, u parashikua ngritja e funksionimi i Gjykatës Kushtetuese nga ligjvënësi shqiptar.
Gjatë veprimtarisë së saj që nga krijimi në vitin 1992 e gjer më sot Gjykata Kushtetuese ka pasur rastin të shqyrtojë çështje të natyrave dhe përmasave të ndryshme duke krijuar hap pas hapi një praktikë të pasur, ku të bie në sy përpjekja e vazhdueshme për t’i dhënë mbrojtjen e duhur parimeve kushtetuese. Natyrisht vend për kritika mund të ketë, por nisur nga fakti që në një kohë të shkurtër duhej të merreshin vendime për çështje të rëndësishme, ky organ është përpjekur gjithsesi të shfaqë tendencën e tij për paanshmëri në gjykimet e dhëna. Gjykata Kushtetuese është bërë shpesh objekt kritikash nga ana e politikës për shkak të natyrës së çështjeve të gjykuara prej saj. Përplasje të tilla janë të pashmangshme po të kihet parasysh se Gjykata Kushtetuese duhet të ushtrojë kontroll mbi aktet e legjislativit apo ekzekutivit, që në fund të fundit është formuar nga shumica e votuar në zgjedhjet politike. Gjykata Kushtetuese ka për detyrë të mbikëqyrë, nëse ushtrimi i pushtetit (politik) bëhet brenda kufijve të përcaktuar me ligj. Pra, ajo duhet të sigurojë që këto kufij të mos tejkalohen, në të kundërt nuk respektohet rendi juridik mbi bazën e të cilit duhet të funksionojë i tërë sistemi shtetëror. E parë në këtë këndvështrim, Gjykata Kushtetuese nuk duhet kuptuar si një organ që qëndron mbi të tjerët apo i sposton ata. Por ajo luan një rol ekuilibrues për mbrojtjen e sistemit të ndarjes dhe kontrollit të ndërsjellë të pushteteve, si një parim themelor të shtetit të së drejtës. Ky lloj kontrolli kushtetues i ushtruar nga Gjykata Kushtetuese është forma më e mirë e gjetur deri më sot për të siguruar funksionimin mbi bazën e ligjshmërisë të organeve shtetërore, çka përbën edhe elementin kryesor të shtetit të së drejtës. Doktrina kushtetuese e përqafoi idenë e Hans Kelsenit (konstitucionalist austriak – ideator i krijimit të Gjykatës Kushtetuese) për të pasur një organ të ngarkuar me kontrollin e veprimtarisë së organeve shtetërore me qëllimin e vetëm për të mos i lënë vend arbitrariteteve dhe anarkisë, çka jep pasojat e veta, shpesh të rënda, drejtpërdrejt tek shtetasit. Gjykata Kushtetuese u mendua si një institucion që duhej të garantonte kësisoj respektimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve, e cila filloi të trumbetohej me forcë që në fillim të shekullit të 20-të.
E parë në këtë këndvështrim, Gjykata Kushtetuese shqiptare ka sjellë risi në qeverisje, pavarësisht se vendimet e saj jo rrallë shkaktojnë pakënaqësi. Gjithsesi roli i saj ka ardhur duke u evidentuar tek qytetarët, megjithëse kompetenca e saj për të shqyrtuar ankimet individuale kushtetuese është e kufizuar në raport me kompetencat që ajo kishte sipas Dispozitave Kryesore Kushtetuese si dhe me kompetencat e disa gjykatave analoge të vendeve të tjera.
Në këto më shumë dy dekada të krijimit të saj, Gjykata Kushtetuese është konfiguruar si institucion kushtetues i mirëfilltë duke u rreshtuar krah simotrave të saj evropiane. Ka marrëdhënie dhe shkëmbime të rregullta me institucione të ngjashme në Evropë dhe ka aderuar në konferenca e organizma të ndryshme, ku jep në mënyrë të vazhdueshme kontributin e saj në shërbim të drejtësisë kushtetuese, kryesisht asaj evropiane. Gjithashtu, kjo Gjykatë boton periodikisht vendimet e saj duke synuar prakticitetin në shfrytëzimin e jurisprudencës së saj nga rrethi i juristëve e më gjerë.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë prezantohet para publikut me këtë faqe interneti, në të cilën gjendet informacione lidhur me kompetencat, bazën ligjore (teksti i plotë i dispozitave kushtetuese mbi Gjykatën Kushtetuese si edhe i Ligjit Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë), funksionimin, përbërjen, strukturën administrative të saj, vendimet e saj që prej 1992 si dhe aktivitetet që organizon apo në të cilat merr pjesë kjo Gjykatë.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.