Sot më datë 17.11.2008, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të R.SH, Dr. Vladimir Kristo, priti në zyrën e tij zotin Hilmi Jashari, ushtrues i detyrës së Ombudspersonit në Republikën e Kosovës.
Gjatë vizitës u soll në vëmendje përvoja e legjislacionit dhe institucioneve shqiptare dhe më tej, biseda u fokusua në përpjekjet e Republikës së Kosovës për konstituimin e institucioneve kushtetuese dhe të pavarura pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.
Bashkëbiseduesit shprehën njëherësh nevojën e forcimit të bashkëpunimit mes institucioneve të R.SH dhe Republikës së Kosovës, bashkëpunim që merr rëndësi në marrëdhëniet mes dy popujve vëllezër si dhe frymëzohet nga aspiratat e përbashkëta të dy vendeve drejt të nesërmes europiane.
Zoti Hilmi Jashari dhe delegacioni i tij u shoqërua në takim nga Avokati i Popullit të R.SH, z. Ermir Dobjani.