Në datën 18.01.2008, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Dr. Vladimir Kristo, priti në ambientet e kësaj gjykate, Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Hungarisë në Shqipëri, SHTZ. Sandor Molnari.
Takimi u zhvillua me kërkesë të vetë Ambasadorit dhe u përqëndrua në diskutimin e pikave të përbashkëta dhe dallimeve që ekzistojnë në kompetencat e dy gjykatave si dhe në nevojën e bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe homologes së saj në Hungari. Në vlerësim të eksperiencës dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese si institucioni që garanton respektimin e Kushtetutës dhe ndihmon në ndërtimin e shtetit të së drejtës, autoritetet shprehën bindjen se shkëmbimi i përvojave në fushën e drejtësisë kushtetuese dhe më gjerë, do të ndihmojë jo vetëm në veprimtarinë e këtij institucioni, por edhe në zhvillimet dhe proceset demokratike në Shqipëri.