Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Dr. Vladimir Kristo, priti në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate Z. Philip Alston, Raportues i Posaçëm i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për Ekzekutimet Jashtëgjyqësore ose Arbitrare, i cili po zhvillon një vizitë pune disa ditore ne Shqipëri.
Biseda u fokusua në çështje të funksionimit të sistemit të drejtësisë, fenomenit të korrupsionit në gjyqësor dhe administratën shtetërore, për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimmarrjen e saj, si dhe për çështje të tjera të demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë.