Me ftesë të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, Kontrollori i Shtetit & Ombudsmani i Shtetit të Izraelit, Z. Micha Lindenstrauss, po zhvillon në Shqipëri një vizitë pune disa ditore.
Sot, në datën 21.03.2008, Z. Micha Lindenstrauss, u prit në një takim nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Dr. Vladimir Kristo. Takimi, i cili u zhvillua në një atmosferë mjaft miqësore, u përqendrua në çështje të organizimit të pushtetit gjyqësor të vendeve respektive, në specifikat dhe veçoritë e konceptimit dhe funksionimit të institucionit të Kontrollorit të Shtetit & Ombudsmanit në Shtetin e Izraelit, si dhe në mundësitë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë të të dy vendeve.
Kryetari i Gjykatës, pasi bëri një ekspoze të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese evidentoi faktin se tashmë kjo Gjykatë, ndonëse me një eksperience relativisht të re, ka konsoliduar në vazhdimësi jurisprudencën e saj duke zënë një vend të rëndësishëm në institucionet kushtetuese të shtetit.
Në këtë takim, Z. Micha Lindenstrauss, shoqërohej edhe nga Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë, Z. Ermir Dobjani.