Komisioni i Venecias, ka organizuar në datat 26-27 qershor 2008 takimin e nëpunësve ndërlidhës të gjykatave kushtetuese evropiane e më gjerë. Ka qenë Tirana dhe Gjykata Kushtetuese Shqiptare pritëset e aktivitetit që synon forcimin e bashkëpunimit mes gjykatave kushtetuese.
Në seminar morën pjesë gjyqtarë dhe përfaqësues nga gjykatat kushtetuese të Evropës e më gjerë.
"Drejtësia kushtetuese e krahasuar" ishte tema ku u fokusua seminari dhe që solli në vëmendje të pjesëmarrësve përvojat e punës së gjykatave kushtetuese. Seminari ishte njëherësh një tryezë bisedimesh mbi rrugët e përmirësimit dhe krijimit të një klime bashkëpunimi sa më të efektshëm mes gjykatave kushtetuese, bashkëpunim, i cili merr rëndësi më të madhe në kuadër të krijimit dhe zgjerimit të BE-së dhe përafrimit të legjislacioneve.
Seminarin e përshëndeti Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare, z. Vladimir Kristo, i cili falënderoi Komisionin e Venecias për ndihmesën e vyer që i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese Shqiptare në punën e saj, nëpërmjet opinioneve. "Njohja dhe shfrytëzimi i kujdesshëm i arritjeve të drejtësisë kushtetuese evropiane janë bërë, - theksoi Kryetari Kristo, - praktikë rutinore e procesit përgatitor të vendimmarjes së Gjykatës Kushtetuese".
Më tej Kryetari dhe pjesëmarrësit në seminar ndanë të njëjtin mendim mbi nevojën e hapave të tjerë të rëndësishëm në bashkëpunimin mes gjykatave kushtetuese, dhe gjykatave kushtetuese dhe Komisionit të Venecias.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, si pjesë e organizimit të këtij seminari, u kujdes për të ofruar për pjesëmarrësit gjatë ditëve të qëndrimit dhe një tablo pozitive dhe mbreslënëse të Shqipërisë, duke i motivuar ata për t’u rikthyer sërish në Shqipëri.