Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, nga data 28 - 30 janar 2010, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i kësaj gjykate, Dr. Prof. Enver Hasani, në përbërje të të cilit janë dhe z. Kadri Kryeziu, Zv/Kryetar i Gjykatës dhe znj.Ilirjana Islami, z.Altay Suroy dhe z.Ivan Cukalovic, gjyqtarë si dhe znj. Arbëresha Shala, Sekretare e Përgjithshme.
Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u prit sot nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Dr. Vladimir Kristo. Në këtë takim, kryetarët e të dy gjykatave krahas paraqitjes së përmbledhur të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të gjykatave kushtetuese të të dy vendeve vunë theksin dhe në nevojën e bashkëpunimit të ngushtë mes dy gjykatave, por dhe më gjerë në rajon. Bashkëpunimi u vlerësua i nevojshëm sidomos në kuadrin e shkëmbimit të eksperiencave në gjykimin kushtetues, edhe në takimin që delegacioni i GJK të Kosovës bëri me trupën gjyqësore të GJK të Shqipërisë.
Gjatë vizitës që po zhvillon në vendin tonë delegacioni kosovar u prit në takime zyrtare dhe nga Presidenti i Republikës SHTZ. Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli dhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Znj. Shpresa Beçaj.