Programi i Transparencës |
Ku paraqitet kërkesa?
Gjykata vihet në lëvizje me anë të kërkesës, e cila mund të paraqitet dorazi ose me postë në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 26, Tiranë.
Individi i cili dëshiron të paraqesë kërkesën dorazi, mund të paraqitet pranë Gjykatës, në Drejtorinë Gjyqësore dhe të Dokumentacionit, çdo ditë pune, nga ora 08.00-16.00.
Në rast të dërgimit të kërkesës me postë, data e paraqitjes së saj konsiderohet data e dorëzimit në zyrën postare.
Në rast se kërkesa është dërguar gabimisht në një institucion tjetër dhe kërkesa është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese pas përfundimit të afatit ligjor, kërkesa konsiderohet e paraqitur në afat në rast se provohet se kjo ka ndodhur në mirëbesim.
Ligji nuk parashikon paraqitjen e kërkesës në formë elektronike apo me fax.
A ka një model për hartimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese? Nëse po, ku mund ta gjej atë?
Në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese www.gjk.gov.al gjendet formulari i paraqitjes së kërkesës, si dhe këshilla praktike për plotësimin e tij, të cilat, gjithashtu, kanë karakter orientues dhe jo detyrues.
Kërkuesi mund të paraqitet edhe pranë Gjykatës Kushtetuese për të tërhequr një model të Formularit, por administrata e Gjykatës nuk mund ta ndihmojë në plotësimin e tij.
A ka një afat kohor për paraqitjen e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese?
Cilat janë kriteret formale që duhet të plotësojë një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese?
Kërkesa duhet të paraqitet në formë të shkruar në gjuhën shqipe, qartë e kuptueshëm, në aq kopje sa janë pjesëmarrësit në gjykim.
Ajo duhet të përmbajë:
A informon Gjykata Kushtetuese se kërkesa është paraqitur në mënyrë të rregullt dhe është regjistruar?
Vetëm në rast të paraqitjes së një kërkese të paplotë, Drejtoria Gjyqësore dhe e Dokumentacionit njofton kërkuesin për plotësimin e saj brenda një afati 10-ditor. Në këto raste kërkesa konsiderohet e paplotë dhe nuk regjistrohet në regjistrin e kërkesave.
Nëse kërkesa nuk plotësohet brenda afatit të caktuar ajo arkivohet.
A mund të merren kopje të dokumenteve të paraqitura bashkëlidhur kërkesës?
Kërkuesi mund të marrë kopje të dokumenteve të paraqitura. Në këtë rast ai duhet të paraqesë kërkese me shkrim në Drejtorinë Gjyqësore dhe të Dokumentacionit.
Cili është mjeti i aksesit të individit në Gjykatën Kushtetuese?
Nëse individi vlerëson se personalisht dhe drejtpërdrejt i janë cenuar një ose më shumë të drejta themelore kushtetuese nga autoritetet publike, mund të paraqesë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.
Ankimi kushtetues individual, i parashikuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, është mjeti i ri që i garanton individit, person fizik apo juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, aksesin në Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta përballë organeve të pushtetit publik.
Gjithsesi ankimi kushtetues individual nuk është një mjet i zakonshëm ankimi, ai është një mjet i jashtëzakonshëm me anë të të cilit Gjykata shqyrton vetëm nëse janë shkelur dispozitat kushtetuese dhe nuk shqyrton mënyrën se si gjykatat kanë interpretuar ligjin apo kanë zgjidhur çështjen.
A mundet individi të kundërshtojë një ligj ose akt normativ në Gjykatën Kushtetuese?
Objekt i ankimit kushtetues individual, në raste të veçanta, mund të jetë edhe ligji ose akti normativ.
Ligji organik i Gjykatës i ka përfshirë individët në subjektet që kanë të drejtën për të filluar një kontroll për pajtueshmërinë e ligjit ose akteve të tjera normative me Kushtetutën ose marrëveshjet ndërkombëtare, por vetëm nëse pretendojnë se u cenohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe reale të drejtat dhe liritë e tyre të parashikuara në Kushtetutë, pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike për këtë qëllim, si dhe kur akti që kundërshtojnë është drejtpërdrejt i zbatueshëm dhe nuk parashikon nxjerrjen e akteve nënligjore për zbatimin e tij.
Cilat janë kriteret ligjore që duhet të përmbushen për paraqitjen e ankimit kushtetues individual?
Për paraqitjen e një ankimi kushtetues individual individi duhet të provojë se:
A është i nevojshëm përfaqësimi me avokat?
Në Gjykatën Kushtetuese nuk është i detyrueshëm përfaqësimi me avokat. Në rast se individi ka zgjedhur të përfaqësohet nga një avokat, ai i bashkëngjit kërkesës aktin e përfaqësimit dhe në një rast të tillë të gjitha njoftimet e Gjykatës i drejtohen përfaqësuesit.
Gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë plenare, organet shtetërore përfaqësohen nga drejtuesit e tyre ose persona të autorizuar me shkrim, kurse individët mund të përfaqësohen vetë ose me avokat të pajisur me prokurë ose të caktuar me deklarim në seancë.
Në rast se objekt kërkese është një ligj ose një akt normativ, kërkuesi përfaqësohet në gjykim me avokat ose përfaqësues ligjor të specializuar.
Çfarë vendos Gjykata nëse pranon ankimin kushtetues individual?
Gjykata Kushtetuese shqyrton nëse akti i pushtetit publik, pjesërisht ose tërësisht, ose vendimi gjyqësor është në përputhje me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare. Nëse objekt i shqyrtimit të ankimit kushtetues individual është ligji apo akti normativ, Gjykata Kushtetuese mund të shprehet edhe për dispozita të tjera që nuk janë objekt i kërkesës, në rast se çmon se kanë lidhje me çështjen në gjykim.
Kur Gjykata Kushtetuese shqyrton kushtetutshmërinë e një akti të pushtetit publik dhe arrin në përfundimin se ai bazohet mbi një ligj ose akt normativ antikushtetues, gjykata vendos njëkohësisht edhe shfuqizimin e ligjit ose aktit normativ. Në këtë rast efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk shtrihen ndaj akteve që kanë përfunduar efektet ose vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë.