Programi i Transparencës |
1. Holta Zaçaj, LL.M, Kryetare
Lindur më 12 janar 1976 në Tiranë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1998. Në periudhën 2007-2008 ka kryer masterin shkencor për “Titujt dhe rregullimet financiare”, në Universitetin e Georgetown në SHBA, në kuadër të programit Fullbright. Rrugëtimin profesional e ka nisur si juriste dhe aktiviste për të drejat e njeriut, duke u angazhuar në vitet 1999- 2001, në Qendrën “Paqe nëpërmjet Drejtësisë”, projekti për krimet e luftës në Kosovë. Më pas, është angazhuar si avokate në Qendrën e Praktikave dhe Shërbimeve Ligjore të Integruara (QSHPLI), në projektet e ndihmës ligjore falas, si: Klinika Ligjore për të Miturit, Zyra e Avokatit të Qytetit pranë Bashkisë Tiranë, Klinka Ligjore për Refugjatët. Nga viti 2008, krahas angazhimit në shoqërinë civile si avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut, ka punuar si avokate në zyrën e avokatisë “Delegibus Consulting” sh.p.k. dhe nga viti 2018 ka ushtruar profesionin e avokatit edhe në shtetin e Massachusetts, SHBA, në zyrën ligjore ”Ligris and Associates dhe Zaçaj Law”. Gjithashtu, në periudhen 2009-2013, zonja Zaçaj është angazhuar si lektore në Shkollën e Magjistraturës në trajnimin fillestar, në të drejtën familjare dhe në trajnimin vazhdues në fushën e së drejtës familjare dhe të të drejtave të fëmijëve, si dhe lektore e së drejtës bankare dhe financiare në disa universitete private në Shqipëri, në periudhën 2009-2014. Zonja Zaçaj është angazhuar dhe ka kontribuar si eksperte ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare në një sërë iniciativash të UNICEF-it në Shqipëri, UNICEF-it në Kosovë, UNICEF-it në Gjeorgji, Këshillit të Evropës, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombetar etj. Ajo është autore dhe bashkëautore e rreth 30 studimeve dhe botimeve në fushën e të drejtave të njeriut, të të drejtave të fëmijëve, të së drejtës familjare, të së drejtës bankare dhe të titujve. Ajo është bashkëautore e Kodit të Familjes, ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri, paketës ligjore për trajtimin penitenciar të të miturve në Kosovë. Në muajin janar të vitit 2023 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
2. Marsida Xhaferllari, anëtare
Lindur më 06.03.1975 në Tiranë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997. Në vitet 1997-2000 ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës, në brezin e parë të të diplomuarve të kësaj shkolle, dhe është emëruar në detyrën e gjyqtares. Ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier gjatë viteve 1999-2007. Në dhjetor të vitit 2007 ka ushtruar në strukturat juridiko-profesionale të Ministrisë së Drejtësisë detyrën e këshilltares së ministrit, detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Drejtorisë së Kodifikimit dhe atë të drejtoreshës së përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë. Për shkak të këtyre detyrave ka qenë pjesë e disa komisioneve apo këshillave drejtues, si Komisioni i Etikës së Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore apo Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit. Në janar të vitit 2013 është emëruar në detyrën e Kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Që prej vitit 2005 është angazhuar në vijimësi në aktivitete mësimdhënieje, duke përfshirë edhe Programin Fillestar dhe Vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, si dhe ka qenë eksperte ligjore në projekte të lidhura me sistemin e drejtësisë. Në periudhën 2015-2016 ka qenë pjesë e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Reformës në Drejtësi, duke punuar për ligjet për gjyqësorin dhe financimin e gjyqësorit. Është autore e disa manualeve të punës për çështje të hartimit të legjislacionit, si dhe për ato të inspektimit. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
3. Dr. Fiona Papajorgji, anëtare
Lindur më 12.03.1976 në Vlorë. Diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit, Itali. Në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore "Doktore e shkencave juridike" në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit. Në vitet 2000-2008 ka ushtruar profesionin e asistent avokatit dhe me pas të avokatit pranë firmave ligjore në Bari. Gjatë periudhës 2009-2011 ka punuar si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në vitet 2011-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2007 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete, si dhe ka qenë eksperte në disa projekte pranë Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, në procesin e përafrimit të legjislacionit etj. Ka qenë autore e disa artikujve shkencorë në fushën e së drejtës kushtetuese. Në vitin 2019 është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si pedagoge në dispozicion për vitin e parë të Programit të Formimit Fillestar. Gjatë vitit 2020 ka ushtruar funksionin e anëtares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
4. Dr. Elsa Toska, anëtare
Lindur më 05.06.1976 në Kavajë. Diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2005 ka marrë titullin "Master" në Studime Europiane në Rektoratin e Tiranës, ndërsa në vitin 2012 gradën shkencore "Doktore e shkencave juridike" në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Në vitet 2000-2006 ka punuar si ndihmëskomisionere/eksperte ligjore pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe në vitet 2006-2007 ka ushtruar profesionin e avokatit. Gjatë periudhës 2007-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2005 e në vazhdim është lektore e së Drejtës Administrative dhe Kushtetuese në universitete të ndryshme, si dhe trajnere e të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2010, është përfshirë si konsulente ligjore e jashtme në një sërë projektesh të organizmave ndërkombëtare, të lidhura me të drejtat e njeriut dhe gjyqësorin. Ka qenë pjesë e ekspertëve në 3 grupe pune gjatë Reformës në Drejtësi, përkatësisht për Amendimet Kushtetuese, Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe hartimin e projektligjit për Presidentin e Republikës. Është autore e disa publikimeve shkencore në formë manualesh apo monografish, ku mund të veçohet monografia "Mbi kontrollin kushtetues të veprimtarisë administrative, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese", si dhe bashkëautore e librit "Kontrolli mbi administratën publike", 2013, tekst akademik i miratuar nga Departamenti i së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, Tiranë. Prej vitit 2017 është eksperte e trajnimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës. Është autore e disa artikujve shkencorë dhe pjesëmarrëse në disa konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit për çështje të drejtësisë kushtetuese. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
5. Sonila Bejtja, anëtare
Lindur më 17.09.1974 në Tiranë. Në vitet 1989 - 1997 ka kryer shkollën e mesme të gjuhëve të huaja "Asim Vokshi", si dhe liceun linguistik "San Vincenzo" në Milano. Në vitin 2000 është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Milanos, Itali. Në vitet 1999 - 2004 ka ushtruar profesionin e avokatit pranë firmës ligjore "Boga & Associates". Në vitet 2004 - 2011 ka punuar si avokate dhe konsulente ligjore në disa projekte të Bankës Botërore, Bankës Italo-Shqiptare, Bankës së Kursimeve gjatë privatizimit të saj, Bankës Popullore Pulieze, Bankës Italiane për Zhvillimin, si dhe pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Radio Televizionit Shqiptar. Nga viti 2011 e në vazhdim ka ushtruar profesionin e noterit. Është anëtare e Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Dhomës së Noterëve Tiranë, si dhe ish-anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatëve. Në muajin dhjetor të vitit 2020 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
6. Dr. Sandër Beci, anëtar
Lindur më 06.08.1974 në Shkodër. Diplomuar në vitin 1996 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Në vitin 2002 ka përfunduar shkollën e studimeve të thelluara pasuniversitare në fushën “Studime Europiane” në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktor i shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në periudhën 1996 – 2018 ka punuar pedagog me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Në këtë fakultet ka ushtruar edhe funksionin e drejtorit të Departamentit Juridik; drejtorit të Departamentit të së Drejtës Civile dhe ka qenë anëtar i Komisionit të Etikës së këtij Universiteti. Është zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, detyrë që e ka ushtruar për periudhën dhjetor 2018 – mars 2022. Gjatë ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është zgjedhur edhe kryetar i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, kryetar i Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit si dhe ka kryesuar komisione të përkohshme të përzgjedhjes së prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.Ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Është autor i disa botimeve dhe artikujve shkencorë, si dhe pjesëmarrës në disa konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.Në muajin mars të vitit 2022 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
7. Ilir Toska, anëtar
Lindur më 27.04.1970 në Elbasan. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1992. Në vitet 2010 – 2011 ka kryer studimet Master i Nivelit të Dytë në Shkenca Juridike me profil e Drejta Publike, Universiteti “Marin Barleti”, Tiranë. Në periudhën 1992 - 2001 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Shkallës së Parë Librazhd. Në vitet 2001 – 2004 ka ushtruar detyrën e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë. Prej janarit të vitit 2004 deri në prill të vitit 2007 ka ushtruar funksionin si Kryeinspektor i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në periudhën 2007 - 2018 ka ushtruar detyrën egjyqtarit në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku përgjatë viteve 2012-2016 ka qënë edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor pranë kësaj gjykate. Në vitet 2018 - 2021 ka ushtruar funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjatë periudhës dhjetor 2021 – shtator 2022 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Tiranë. Po ashtu, është angazhuar si ekspert në trajnimin vazhdues në Shkollën e Magjistraturës.Në muajin shtator të vitit 2022 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
8. Gent Ibrahimi, anëtar
Lindur më 20 mars 1970, në Tiranë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, në vitin 1992. Në periudhën 1992-1993 ka kryer studime të krahasuara në të Drejtën Kushtetuese në Universitetin e Evropës Qëndrore (CEU), Budapest.Rrugëtimin profesional e ka nisur si pedagog i së drejtës administrative në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1994-1997, krahas punës si pedagog, ka punuar si administrator i programit të drejtësisë pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.Në periudhën 1997-1999 ka ushtruar detyrën e këshilltarit ligjor dhe drejtorit të kabinetit të Ministrit të Shtetit për Reformën Legjislative dhe Marrëdhëniet me Parlamentin ku ka ndihmuar në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998 dhe një sërë ligjesh të rëndësishme post – kushtetuese. Në vitet 2002-2003 ka ushtruar detyrën e këshilltarit të jashtëm në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Më tej, në vitet 2003 dhe 2006 ka shërbyer si këshilltar ligjor pranë institucioneve ndërkombëtare të qeverisjes në kuadër të UNMIK në Kosovë. Në vitet 1999-2009 ka ushtruar detyrën e drejtorit ekzekutiv në Institutin e Studimeve Publike dhe Ligjore, një organizatë jo fitimprurëse me fokus në fushën e studimeve mbi sistemin e drejtësisë dhe qeverisjen në përgjithësi. Gjatë kësaj periudhe, në harkun kohor 2009 – 2012, ka shërbyer si këshilltar në Projektin kundër Korrupsionit i njohur me akronimin PACA. Në vitet 2013 - 2014 ka qenë Kryetar i Këshillit të Reformës Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë. Më tej, në vitet 2014 – 2016 ka qënë Kryetar i dy prej grupeve të punës për hartimin e ndryshimeve kushtetuese e ligjore në kuadër të reformës në drejtësi.Përgjatë viteve 2019-2022 ka ushtruar detyrën e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Prej vitit 2006 shwrben si pedagog i jashtwm pranw Shkollws sw Magjistraturws. Përgjatë gjithë ecurisë profesionale është angazhuar si ekspert në shërbime konsulence në fusha të tilla si sistemi gjyqësor, qeverisja, anti – korrupsioni, shërbimi civil dhe reforma administrative, media etj. Z. Ibrahimi është bashkautor i shumë studimeve dhe komentarëve të botuar në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtës kushtetuese, të drejtës administrative, sistemit tw drejtësisë, lirisë së shprehjes, të drejtës të organizimit kolektiv, të drejtës të informimit, jetës private etj.Në muajin dhjetor të vitit 2022 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
6.Prof. Dr. Marjana Semini, anëtare
Lindur më 13.04.1966 në qytetin e Beratit. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1988. Gjatë viteve 1988 – 1997 ka qenë pedagoge e brendshme në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës për lëndën "E Drejta e Detyrimeve dhe Kontratave”. Në vitin 1993 ka marrë Gradën Shkencore “Kandidat i Shkencave në Drejtësi”. Në vitin 1994 ka marrë Gradën Shkencore “Doktor në Drejtësi” dhe, më pas në vitin 1999 ka fituar Titullin Shkencor “Profesor i Asociuar” dhe në vitin 2009 Titullin Shkencor “Profesor”. Është specializuar nën Programin Fullbright (1993, Virginia School of Law, SHBA) dhe Programin TEMPUS (1993 – 1994, Fakulteti i Drejtësisë, Trento, Itali) etj.Në periudhën nga viti 1997 deri në vitin 2022 ka qenë pedagoge e brendshme në Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë. Në vitet 2009-2013 ka ushtruar detyrën si Drejtore e Shkollës së Magjistraturës. Ka ushtruar detyrën si përgjegjëse e Trajnimit Fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës deri në vitin 2022. Ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës për një periudhë gati 20 vjeçare.Ka qenë dhe është pedagoge e jashtme në fakultete në ndryshme të drejtësisë në Shqipëri, si dhe udhëheqëse shkencore në programe dhe shkolla doktorale në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Gjithashtu. Në periudhën 2014-2020 ka qenë pedagoge e jashtme në Shkollën Kombëtare të Avokatisë.Gjatë viteve 1999-2022 ka qënë e angazhuar në programe kombëtare dhe ndërkombëtare të organizatave të Kombeve të Bashkuara (UN) të tilla si: PNUD, UNICEF, ILO, IFC, WIPO, Banka Botërore, si dhe të USAID-it, OSBE-së, Këshillit të Europës, etj. Eshtë aktivizuar si eksperte e pavarur që ka asistuar në Gjykatën e Arbitrazhit të Dhomës së Londrës, Zyrihut, Parisit, Vienës, etj për çështje që lidhen me zbatimin e kontratave në fushën tregtare. Në vitin 2021-2022 ka qenë anëtare e Bordit Disiplinor të Noterisë ( quasi gjykatë) pranë DHKN, si përfaqësuese e Shkollës së Magjistraturës. Gjithashtu, është autore dhe bashkëautore në 37 tekste universitare, monografi, komentarë, dhe mjaft artikujsh shkencor dhe publikime të natyrës juridike.Në muajin dhjetor të vitit 2022 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.