Funksionet
1. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor të zakonshëm.
Ajo ka një juridiksion të veçantë për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjerë normativë. Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj (neni 124/1 i Kushtetutës). Gjatë ushtrimit të funksionit të saj ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës (neni 124/2 i Kushtetutës). Kompetencat e Gjykatës Kushtetuese janë të parashikuara në nenin 131 të Kushtetutës, sipas të cilit ky organ vendos për:
a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet në Nenin 122;
b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre;
c) pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare;
ç) mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore;
d) kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas Nenit 9 të kësaj Kushtetute;
dh) shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij;
e) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre.”
ë) kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij;
f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.
2. Gjykata Kushtetuese, në rastin kur vihet në lëvizje për shqyrtimin e një ligji për rishikimin e Kushtetutës, të miratuar nga Kuvendi sipas nenit 177, kontrollon vetëm respektimin e procedurës së parashikuar nga Kushtetuta.
2. Gjykata Kushtetuese gjithashtu vendos edhe mbi kushtetutshmërinë e:
-
vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës (neni 90/3, 91/2 i Kushtetutës);
-
vendimit për shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë (neni 140/4 i Kushtetutës);
-
vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryetarëve të komunave ose bashkive (neni 115 i Kushtetutës);
3. Gjykatën Kushtetuese mund ta vënë në lëvizje:
a) Presidenti i Republikës;
b) Kryeministri;
c) jo më pak se një e pesta e deputetëve;
ç) Avokati i Popullit;
d) Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit;
dh) çdo gjykatë, sipas nenit 145, pika 2, të Kushtetutës;
e) çdo komisioner i krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta;
ë) Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë;
f) organet e qeverisjes vendore;
g) organet e bashkësive fetare;
gj) partitë politike;
h) organizatat;
i) individët.
Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”, mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.
4. Kërkesat që vijnë para Gjykatës Kushtetuese ndjekin këtë procedurë:
Kërkesa, pasi regjistrohet, i dorëzohet Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili merr masat për caktimin me short të relatorit të çështjes, sipas Rregullores së Gjykatës. Relatori ia paraqet çështjen kolegjit prej tre anëtarësh, në të cilin bën pjesë dhe ai. Kolegji vendos për pranueshmërinë e kërkesës, pra kalimin e saj në seancë plenare. Nëse kolegji nuk arrin të vendosë unanimisht, çështja i paraqitet mbledhjes së gjyqtarëve, që vendos me shumicë votash. Çështja nuk pranohet të kalojë në seancë kur objekti i saj nuk është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese, apo kur kërkuesi nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Seancat plenare zhvillohen të hapura dhe duke respektuar parimin e kontradiktoritetit, si dhe parimet e tjera themelore të gjykimit në përgjithësi dhe atij kushtetues në veçanti. Për rastet e interpretimit të Kushtetutës gjykimi mund të zhvillohet edhe vetëm mbi bazën e dokumentave. Palët mund të përfaqësohen me avokatë. Shpenzimet e procesit gjyqësor para Gjykatës Kushtetuese i nënshtrohen rregullave të parashikuara në ligjin për tarifat gjyqësore.
5. Në fund të çdo shqyrtimi gjyqësor Gjykata Kushtetuese shprehet me vendim.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese arsyetohen me shkrim dhe hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim (neni 132 i Kushtetutës). Si rregull, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë fuqi prapavepruese. Megjithatë ligji parashikon raste përjashtimore: vendimet që shfuqizojnë dënimet penale, qofshin këto edhe në fazën e ekzekutimit të tyre, vendimet që interpretojnë Kushtetutën, vendime që lidhen me pasoja ende të paezauruara të aktit normativ të shfuqizuar dhe ato lidhur me vendimet e gjykatave derisa këto të fundit nuk kanë marrë formë të prerë.