| Bookmark and Share

Historiku

Ndryshimet demokratike që ndodhën në fillim të viteve ’90 shënuan kthesë rrënjësore në historinë e shtetit shqiptar dhe të institucioneve të tij. Orientimi demokratik i shtetit kërkonte kryerjen e një reforme institucionale të thellë, e cila duhet t’i hapte rrugë shndërrimeve demokratike për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Parimet themelore që udhëhoqën këto ndryshime demokratike u shpallën fillimisht me ligjin nr.7491 dt.29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese, më pas me ligjin nr.7561 dt.29.04.1992 “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491 dt.29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve u krijua edhe Gjykata Kushtetuese, si një nga institucionet më të rëndësishme për garantimin e rendit të ri kushtetues që po instalohej në Shqipëri. Që në fillim ky institucion u konsiderua nga ligjvënësi si autoriteti më i lartë që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Sipas kësaj baze kushtetuese Gjykata Kushtetuese përbëhej nga 9 anëtarë, 5 prej të cilëve zgjidheshin nga Kuvendi dhe 4 nga Presidenti i Republikës. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhej me votim të fshehtë nga vetë gjyqtarët. Ligji i mësipërm përcaktonte edhe statusin e gjyqtarëve kushtetues, kompetencat e atributet, subjektet që e vinin në lëvizje dhe fuqinë detyruese të vendimeve të saj.

Anëtarët e parë të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë Manol Konomi, Feti Gjilani, Hilmi Dakli, Rustem Gjata, Franc Jakova, Veli Budo, Thimjo Kondi, Natasha Sheshi, Ylvi Myrtja. Kryetar  i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh Rustem Gjata për një periudhë 3-vjeçare, mandat i cili u përsërit në vitin 1995.

Ligji kushtetues nr.7561, datë 29.04.1992 “Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” mbi bazë të të cilit u krijua dhe Gjykata Kushtetuese kërkonte nxjerrjen e akteve të tjera për rregullimin e veprimtarisë së saj. Më 15.07.1998 Kuvendi miratoi ligjin nr.8373 “Mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i cili krijoi një bazë ligjore për çështjet e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese.

Më 28.11.1998 hyri në fuqi Kushtetuta e Shqipërisë, në të cilën Gjykata Kushtetuese zuri përsëri një pozitë institucionale të rëndësishme. Gjithashtu ajo solli dhe ndryshime në mënyrën e emërimit të anëtarëve, të kompetencave dhe subjekteve që e vënë atë në lëvizje. Gjyqtarët emëroheshin nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Kryetari emërohej nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë riemërimi.

Kushtetuta kërkonte nxjerrjen e akteve ligjorë në zbatim të saj. Si rrjedhojë e kësaj, më 10.02.2000 Kuvendi miratoi ligjin nr.8577 “Mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i cili u hartua me ndihmën e Komisionit të Venecias “Demokracia përmes ligjit”. Ky ligj rregullonte çështje të tilla, si p.sh mënyrën e paraqitjes së kërkesës, shqyrtimin paraprak, procedurat e gjykimit, statusin dhe mandatin e gjyqtarit.
Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese ndahet në dy periudha: periudha e parë përfshin kohën gjatë së cilës ajo ka funksionuar në bazë të Dispozitave Kryesore Kushtetuese, ndërsa periudha e dytë përfshin kohën pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Që nga krijimi i saj Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendime të natyrave të ndryshme duke u shprehur për kushtetutshmërinë ose jo të normave ligjore apo akteve normative të institucioneve qendrore dhe vendore, interpretimin e Kushtetutës, parimet kushtetuese dhe të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Reforma në drejtësi dhe Gjykata Kushtetuese

Çfarë solli reforma kushtetuese?
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 prekën edhe aspekte të organizimit, funksionimit dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese, të cilat u reflektuan si në dispozitat kushtetuese, ashtu edhe në ligjin për organizimin dhe funksionimin e saj. Konkretisht, u ndryshua formula e zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, u shtuan disa kompetenca dhe u ridimensionuan në funksion të efikasitetit dhe eficensës disa kompetenca të tjera. Gjithashtu, u pasqyruan edhe disa zgjidhje për probleme të hasura gjatë vendimmarrjes së kësaj Gjykate në vite.

Formula e emërimit/zgjedhjes
Për shkak të rolit që kishte përcaktuar Kushtetuta e vitit 1998, por edhe ligji, në lidhje me sistemin e drejtësisë, Presidenti i Republikës, mbështetur në nenin 125/1 të Kushtetutës, emëronte anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, me pëlqimin e Kuvendit. Mekanizmi kushtetues i përfshirjes së Presidentit të Republikës dhe Kuvendit është menduar fillimisht nga hartuesit e Kushtetutës në vitin 1998, si zgjidhja më e mirë në raport me formulimin e mëparshëm. Përvoja e zbatimit të kësaj procedure kushtetuese deri në ndryshimin e kushtetutës në vitin 2016 dëshmoi për mosfunksionim si duhet për shkak të mungesës së bashkëpunimit institucional midis Presidentit dhe Kuvendit. Problematika e procedurës së zgjedhjes së gjyqtarëve të lartë dhe kushtetues, solli në rend të ditës edhe rishikimin kushtetues të mënyrës së zgjedhjes së tyre. 

Nisur nga kjo situatë, bazuar në ndryshimet kushtetuese të 2016, Gjykata Kushtetuese ka një formulë të re të zgjedhjes së anëtarëve të saj. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit. Kandidatët për gjyqtarë të Gjykatë Kushtetuese i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe pikëzimit që kryhet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ky Këshill, në përfundim të procesit të vlerësimit, bën renditjen e kandidaturave, sipas kritereve objektive dhe shkencore të parashikuara në ligjin organik për këtë qëllim. Krahas integritetit moral, mjaft i rëndësishëm është vlerësimi profesional i fokusuar në disa parametra si: pasuria e përvojës profesionale në fushën ligjore, vijueshmëria e një vendimi të dhënë në shkallët e tjera të gjykimit, sasia dhe cilësia e punës së kryer, respektimi i afateve për shpalljen e vendimit, pjesëmarrja aktive dhe asistenca e ofruar nga gjyqtari për mbarëvajtjen e zyrës/gjykatës në të cilën vepron, disponibiliteti, frekuenca e kurseve trajnuese, kontributi në zgjidhjen e problemeve organizative, meritat e veçanta në fushën e mësimdhënies, etj.

Pas këtij procesi, KED i dërgon listën me kandidatët e renditur secilit prej organeve të emërtesës që duhet të plotësojë vakancën përkatëse. Presidenti emëron njërin prej kandidatëve të renditur në 3 vendet e para. Po kështu, edhe Kuvendi zgjedh me shumicë prej 3/5 të të gjithë anëtarëve, një nga 3 të listuarit me më shumë pikë. Ndërsa Gjykata e Lartë, zgjedh një nga 3 kandidatët e renditur më lart, me shumicën prej 2/3 të të gjithë gjyqtarëve të asaj gjykate. Në rast se organi i emërtesës (Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë) brenda 30 ditëve nuk ushtron kompetencën e tij, atëherë kandidati i renditur më lart, konsiderohet i emëruar.

Kjo formulë zgjedhjeje synon disa objektiva: së pari, siguron pjesëmarrjen e disa organeve dhe grupeve të interesit në proces, pasi secili organ ka kompetencë thelbësore dhe të pandarë me të tjerët; së dyti, përmban mekanizmin zhbllokues të procesit, duke mos ndikuar në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mospërtëritjes nga organet e emërtesës; së treti, proces nuk dominohet nga politika, duke mundësuar në të njëjtën kohë balancimin e pushteteve dhe së fundmi, garanton një miksim të përvojave pasi kandidatët vijnë nga fusha dhe përvoja të ndryshme të së drejtës.
Kompetencat e Gjykatës
Një nga aspektet e rëndësishme të kompetencave të ridimensionuara është edhe zgjerimi i ankimit individual, kur cenohen të drejtat dhe liritë themelore të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese sipas Kushtetutës së vitit 1998 ishte kompetente të shqyrtonte ankimet kushtetuese të individit për një proces të rregullt ligjor duke e kthyer këtë në një nga kompetencat më të rëndësishme të saj. Pavarësisht këtij fakti, Gjykata nuk arriti të përfshinte në juridiksionin e saj edhe kontrollin e kushtetutshmërisë së të gjitha akteve normative të pushtetin publik që cenojnë të drejtat themelore substanciale të parashikuara në Kushtetutë dhe në KEDNJ. Për këtë arsye, u parashikua, midis të tjerave, edhe zgjerimi i ankimit kushtetues individual, i cili ka si qëllim një mbrojtje më të madhe të individit ndaj akteve të pushtetit publik.

Një tjetër kompetencë është shqyrtimi i kushtetutshmërisë së ligjit që rishikon Kushtetutën, kur nuk është respektuar procedura e miratimit të këtij ligji. Më tej, është parashikuar edhe mundësia e rihapjes së procesit para Gjykatës kur vendimi i saj është konsideruar në shkelje të detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare nga gjykatat ndërkombëtare.

Në funksion të kompetencave të Gjykatës, është me rëndësi të theksohet se një ndryshim ka pësuar edhe rrethi i subjekteve që mund të iniciojnë një gjykim kushtetues. Sipas nenit 134, veç subjekteve të parashikuara më parë për të vënë në lëvizje Gjykatën kushtetuese janë shtuar edhe disa subjekte që kanë si thelb të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut siç janë komisionerët e krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta. Gjithashtu, janë shtuar edhe KLGJ dhe KLP, si organe kushtetuese të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Përveç sa më lart, ligji ka parashikuar edhe disa aspekte të rëndësishme të një organizimi sa më efikas të Gjykatës siç është zgjedhja e Kryetarit nga vetë gjyqtarët e Gjykatës, duke shmangur ndikimin nga jashtë në çështje të brendshme të organizimit të saj; ngritja e Njësisë Ligjore, të përbërë nga këshilltarë ligjorë, si strukturë me karakter shkencor dhe të ofrimit të ndihmës në vendimmarrjen e Gjykatës; çështje që lidhen me mënyrën e vendimmarrjes, publicitetin, transparencën por edhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm; rregullimet përkatëse në lidhje me zbatimin e vendimeve të Gjykatës etj.

Këto ndryshime kushtetuese përbëjnë bazën e një reforme të thellë e tërësore, ligjore dhe institucionale për reformimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Zgjidhjet kushtetuese, ligjore e institucionale të ofruara përmes kësaj reforme synojnë të realizojnë funksionimin eficent të sistemit, aftësinë vetërregulluese të sistemit, forcimin e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve dhe kontrollit reciprok ndërmjet institucioneve, të konsolidojnë karrierën e magjistratëve përmes vlerësimit të meritës, aftësive profesionale dhe ndershmërisë në ushtrimin e detyrës.

 

 
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.