Mirësevini në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës Kushtetuese.
Ideja dhe qëllimi ynë është që nëpërmjet kësaj faqe të ofrojmë një informacion të plotë mbi bazën kushtetuese, funksionimin dhe aktivitetin e këtij institucioni, pasi ndjejmë një detyrim qytetar për ta bërë Gjykatën Kushtetuese një institucion transparent, të afërt, të prekshëm dhe sa më të besueshëm për publikun.
Në shoqërinë tonë demokratike, çdo gjë që i përket funksionimit të institucioneve publike dhe për rrjedhojë ndikimi i aktivitetit dhe veprimtarisë së tyre në jetën e individit dhe të shoqërisë, mundet dhe duhet jetë objekt komunikimi. Informacioni prodhon njohjen dhe njohja favorizon pjesëmarrjen aktive në jetën demokratike të secilit prej nesh.
Përditësimi i vazhdueshëm i faqes së internetit të Gjykatës Kushtetuese, duke e pasuruar atë me më shumë instrument të rinj për kërkimin e informacionit, është në harmoni me nevojën e modernizimit të imazhit të drejtësisë kushtetuese dhe me përpjekjet për të qenë në të njëjtin hap me zhvillimet e teknologjisë së informacionit.
Për Gjykatën Kushtetuese transparenca e veprimtarisë së saj mbetet një angazhim konstant dhe ky është një prej motiveve më serioze të përpjekjeve tona për të përfshirë në këtë faqe interneti një informacion sa më të dobishëm, i cili do t’i vinte në ndihmë të gjithë vizitorëve që dëshirojnë ta konsultojnë atë, duke veçuar këtu mediat që, në pjesën më të madhe të rasteve, janë përcjellëset më të shpejta të vendimeve tona tek opinioni publik.