NENI 5 (E drejta për liri dhe siguri)
1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
a. kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
b. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të parashikuar nga ligji;
c. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
d. kur një i mitur ndalohet ligjërisht për qëllim edukimi të mbikqyrur ose për ndalimin e tij të ligjshëm me qëllim që të çohet përpara autoritetit kompetent ligjor;
e. kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve;
f. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi;
2. Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor.
4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.
5. Çdo person që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozitat e këtij neni ka të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.
Rastet ku nuk janë konstatuar shkelje
1. Frroku kundër Shqipërisë, vendim i 18 shtatorit 2018
· aplikanti u ankua se arrestimi i tij shkel nenin 5 § 1 (c) të Konventës;
· neni 5 § 1 i Konventës përmban një listë shteruese arsyesh të lejueshme për privimin nga liria. Asnjë privim nga liria nuk është i ligjshëm në rast se nuk përfshihet në një nga shkaqet e parashikuara në nënparagrafët "a" deri në "f" të nenit 5 § 1;
· problemi qendror në çështjen në fjalë është nëse arrestimi i aplikantit ishte "i ligjshëm" sipas interpretimit të nenit 5 § 1, duke përfshirë faktin nëse është zbatuar "në përputhje me një procedurë të parashikuar nga ligji". Gjykata përsërit se Konventa i referohet kryesisht ligjit vendas, por gjithashtu ajo kërkon që çdo masë e cila e privon individin nga liria e tij të jetë në pajtim me qëllimin e nenit 5, më konkretisht të mbrojë individin nga arbitrariteti;
· edhe pse Parlamenti, në fakt, nuk e dha autorizimin për arrestimin e aplikantit, privimi i lirisë së tij gjithsesi ishte i ligjshëm në kuadër të proceseve të mëparshme penale. Për këtë arsye, edhe pse autoritetet nuk i kërkuan specifikisht autorizimin e Parlamentit për arrestim, për procesin e fundit penal, ky fakt nuk e bënte arrestimin e aplikantit të paligjshëm, duke qenë se e gjithë periudha e arrestimit ishte "arrestim i ligjshëm" sipas grupit të parë dhe të dytë të procedimeve, për të cilat Parlamenti kishte dhënë autorizimin e tij.
· nuk ka pasur shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës
Rastet ku janë konstatuar shkelje
1. Strazimiri kundër Shqipërisë, vendim i 21 janarit 2020
· aplikanti u ankua se nuk kishte patur një mjet kompensimi efektiv sipas Nenit 5 të Konventës;
· Gjykata, duke marrë parasysh mungesën e ndonjë praktike gjyqësore të brendshme, nuk mund të konkludojë që mjeti i ri juridik do të zbatohej për kërkesën e "shpejtësisë" sipas nenit 5 § 4 të Konventës, në lidhje me të cilën aplikantit nuk mund t'i kërkohet ta shterojë atë;
· nuk duket se e drejta për kompensim sigurohet sipas legjislacionit shqiptar;
· Gjykata konkludon se aplikanti nuk kishte një të drejtë të zbatueshme për kompensim, siç kërkohet nga neni 5§5 i Konventës, në lidhje me shkeljet e neneve 5 §§ 1 dhe 4;
· ka pasur shkelje të nenit 5§5 të Konventës
2. Delijorgji kundër Shqipërisë, vendim i 28 prillit 2015
· nëse periudhës së paraburgimit "në pritje të vendimit" i kishte përfunduar afati dhe nëse ndalimi vazhdonte të ishte i ligjshëm;
· ligjshmëria në bazë të legjislacionit të brendshëm nuk është gjithmonë vendimtare;
· duhet të jetë në përputhje me qëllimin e nenit 5 § 1, i cili nuk lejon që personat të privohen nga liria në mënyrë arbitrare;
· kushtet për heqjen e lirisë sipas ligjit të brendshëm duhet të përcaktohen qartë dhe ligji duhet të jetë i parashikueshëm në zbatimin dhe pasojat e tij;
· nuk kishte arsye të dhëna për vendosjen në arrest shtëpie; paraburgimi vazhdonte të mos ishte i ligjshëm;
· Neni 5 § 4 kërkon që kërkesa për lirim të trajtohet me shpejtësi;
· vonesat i atribuohen shtetit;
· shkelje e nenit 5 § 1 të Konventës në lidhje me ndalimin e ankuesit nga 24 nëntori 2010 deri më 12 mars 2012;
· shkelje e nenit 5 § 4 e Konventës
3. Grori kundër Shqipërisë, vendim i 7 korrikut 2009
· ndalimi i aplikantit nuk kishte baza në të drejtën e brendshme;
· edhe vetë gjykatat vendase nuk ishin të qarta se cili version i legjislacionit duhej zbatuar në rastin e aplikantit;
· nëse gjykatat vendase do të zbatonin dispozitën e re, atëherë dënimi i aplikantit mund të bëhej i vlefshëm, por kjo do të thoshte zbatim prapaveprues i dispozitës ligjore, i cili është i paligjshëm;
· thelbësore që kushtet për heqjen e lirisë sipas së drejtës së brendshme të përcaktohen qartë dhe vetë ligji të jetë i parashikueshëm në mënyrë që të respektohet kriteri i ligjshmërisë i përcaktuar nga Konventa;
· nevoja e parashikimit në një shkallë që është e arsyeshme, me këshillimin e duhur, të pasojave që një veprim i caktuar mund të sjellë;
· u konstatua gjithashtu shkelje të nenit 3 dhe nenit 36