PËR ZGJEDHJEN E GJYQTARIT TË SHQIPËRISË NË GJYKATËN EVROPIANE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT
(shtyhet afati i aplikimit, deri në datën 16 prill 2018)
Në funksion të pranimit të një numri sa më të lartë aplikimesh për pozicionin e gjyqtarit shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, afati i aplikimit shtyhet deri në datën 16 prill 2018.
Inkurajojmë të gjithë juristët që përmbushin kriteret e mëposhtme, të aplikojnë!
Këshilli i Evropës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të paraqesë listën me propozime për tri kandidaturat më të përshtatshme për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (në vijim, GJEDNJ), i cili votohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Ky njoftim për aplikim bazohet në udhërrëfyesin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM ( 2012) 40-add, datë 29.3.2012. Mandati i gjyqtarit është për një afat prej 9 (nëntë) vjetësh dhe mbaron pas përfundimit të këtij afati ose kur ai/ajo arrin moshën 70 vjeç. Kandidatët, nëse zgjidhen, duhet të jenë në gjendje të mbajnë këtë detyrë për të paktën sa gjysmën e mandatit 9-vjeçar, para se të arrijnë moshën 70 vjeç.
Aplikanti duhet të plotësojë këto kritere:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë arsim të lartë juridik;
- Të ketë të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, nëpunës i nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut. Përparësi do të kenë kandidatët me përvojë praktike në sistemin e drejtësisë;
- Të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit;
- Të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
- Të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës;
- Të ketë karakter të lartë moral, në përputhje me pikën 1, të nenit 21, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
- Të zotërojë një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht), si dhe, së paku, të ketë njohuritë bazë të gjuhës tjetër. Do të konsiderohet përparësi zotërimi i të dyja gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:
- Kërkesë për aplikim;
- Kopje e letërnjoftimit;
- Curriculum Vitae në gjuhën shqipe dhe Curriculum Vitae të formatizuar sipas modelit në link-un e mëposhtëm, në një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht):
http://assembly.coe.int/CommitteeDocs/2009/ModelCVEN.doc
- Dokumente të diplomimit dhe të kualifikimeve shkencore;
- Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
- Dokumente që provojnë njohjen dhe zotërimin e gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës apo gjuhëve të tjera të huaja;
- Vetëdeklarim që është person i padënuar/dënuar apo ndaj të cilit nuk janë dhënë masa sigurie apo dënim me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
- Vetëdeklarim se interesat private nuk përmbajnë burime të paligjshme financiare, fshehje të pasurive, deklarime të rreme apo konflikt interesi;
- Vetëdeklarim se nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
- Vetëdeklarim se nuk është bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës;
(Deklarimi i rremë, përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtiminnga çdo procedurë e mëtejshme.)
- Dokumente të tjera në funksion të përmbushjes së kritereve të tjera plotësuese.
Ø Duke marrë në konsideratë rëndësinë e integritetit profesional e moral, si dhe pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtarë gjyqësorë, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, aplikantët për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetting-ut), si më poshtë:
1. Aplikantët për pozicionin e gjyqtarit në GJEDNJ, që mbajnë funksionet e parashikuara nga pikat 3 dhe 4 (fjalia e parë), të nenit 179/b, të Kushtetutës, rivlerësohen ex officio, nga institucionet e rivlerësimit;
2. Aplikantët për pozicionin e gjyqtarit në GJEDNJ që vijnë nga radhët e ish-gjyqtarëve, ish-prokurorëve, ish-këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet, rivlerësohen nga institucionet e rivlerësimit, në përputhje me pikën 4 (fjalia e dytë), të nenit 179/b, të Kushtetutës;
3. Aplikantët e tjerë, profesionistë të së drejtës, që nuk përfshihen në kategoritë e përmendura në pikat 1 dhe 2, do t’u nënshtrohen parimeve që qëndrojnë në themel të procesit të rivlerësimit (Vetting-ut), të cilat lidhen me çështje të vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit profesional, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
Shënim:
Ø Pas vlerësimit të dosjeve të aplikimit dhe përfundimit të procesit të rivlerësimit kalimtar, aplikantët do t’i nënshtrohen intervistës, ku një pjesë e pyetjeve do të jenë në një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht).
Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 16 Prill 2018.
Adresa: Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, 1000
Tiranë, Shqipëri
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm
Tel.: 00355 4 22 77 401