Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datat 10.10.2023 dhe 06.11.2023, mori në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën nr. 3 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Civil Rights Defender Dega Tiranë, Këshillin Shqiptar të Medias, Aleancën kundër Diskriminimit LGBT dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri – Ballkan, me objekt: “ Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 5, për sa i përket delegimit të dhënë Këshillit të Ministrave; nenit 8; fjalëve “ose me emra që janë në kundërshtim me rendin ose dispozitave urdhëruese të ligjit” në pikën 1 të nenit 9; shkronjës “a” të pikës 3 të nenit 17; shkronjës “c” të pikës 2 të nenit 20; neneve 26, 28, pika 6 dhe 32 që lidhen me pozitën e kancelarit; fjalëve “kancelari/ose kancelari” në nenet përkatëse ku përcaktohen; pikës 1 të nenit 29; pikave 1 dhe 2 të nenit 36; pikave 2-6 të nenit 49; pikës 5 të nenit 50 të ligjit nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.
Kërkuesit kanë pretenduar, në thelb, se përmbajtja e këtyre dispozitave cenon të drejtën kushtetuese për t`u organizuar, të parashikuar në nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kundërshtim me parashikimet e nenit 17 të Kushtetutës dhe me standardet ndërkombëtare, që kërkojnë që kufizimi i kësaj të drejte, përfshirë sanksionet, të jetë i parashikuar nga ligji, të ketë një qëllim legjitim dhe të jetë proporcional me qëllimin që synohet të arrihet.
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, më 20.11.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si edhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, vendosi:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
3. Rrëzimin e kërkesës për pjesën tjetër.
Në lidhje me parashikimin e nenit 8 të ligjit, që përcakton detyrimin për regjistrim fillestar brenda një afati 30-ditor, Gjykata arriti në përfundimin se ai jo vetëm që nuk buron si i tillë nga legjislacioni në fuqi, por, nga njëra anë sjell detyrime të tjera shtesë për këto subjekte dhe, nga ana tjetër, mosrespektimi i tij çon deri në konsiderimin e tij si shkelje, me pasojë dënimin administrativ me gjobë. Për rrjedhojë, ky parashikim vendos një barrë joproporcionale, veçanërisht për organizatat që synojnë të krijohen rishtazi, duke përbërë kështu një pengesë në drejtim të lirisë së organizimit.
Në lidhje me ato dispozita që kanë parashikuar kompetencat e kancelarit, Gjykata arriti në përfundimin se ato (kompetencat) vijnë në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës, që në mënyrë të shprehur ka parashikuar se regjistrimi i organizatave ose shoqatave bëhet në gjykatë, e cila është organi i vetëm kompetent në lidhje me çdo veprim që kryhet nga organizata ose shoqata, si në lidhje me fitimin e personalitetit juridik ose përfundimin e tij, ashtu edhe veprimet që lidhen me ushtrimin e kësaj veprimtarie. Për rrjedhojë, kancelari, megjithëse ushtron detyrën pranë gjykatës, nuk përfshihet në konceptin kushtetues të gjykatës për sa u përket çështjeve që lidhen me regjistrimin e organizatave jofitimprurëse.
Në lidhje me parashikimet e pikave 2 deri në 6 të nenit 49 të ligjit nr. 80/2021, Gjykata arriti në përfundimin se këto parashikime nuk plotësojnë standardet e kërkuara kushtetuese lidhur me qartësinë e normës juridike për sa i përket kuptimit dhe përllogaritjes së gjobave mbi të ardhurat vjetore të deklaruara të organizatave jofitimprurëse. Po kështu, edhe kufijtë minimalë dhe maksimalë për vendosjen e gjobave nuk plotësojnë standardet e kërkuara për proporcionalitetin e kufizimit, duke mos respektuar kështu kriteret kushtetuese të kufizimit të lirisë së organizimit.
Për sa u përket dispozitave të tjera të ligjit nr. 80/2021, objekt i kësaj kërkese, Gjykata i gjeti pretendimet e kërkuesve të pabazuara dhe vlerësoi se përmbajtja e tyre nuk cenon në thelb lirinë e organizimit dhe as nuk e bën të pamundur ushtrimin e saj.