Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të fjalisë së dytë në pikën 8, të nenit 10 të ligjit nr. 32/2021, datë 16.03.2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” me përmbajtjen “Pala e dëmtuar ose përfituesi, në rast se merr shërbime nga mbrojtësi ligjor, mund t’i paguajë deri në 5% të vlerës së dëmshpërblimit të përfituar, por jo më pak se tarifat e përcaktuara në aktet përkatëse.”. Gjykata vlerësoi se dispozita e kundërshtuar ndërhyn në lirinë ekonomike, në aspektin e lirisë kontraktore të avokatëve, që garantohet nga neni 11 i Kushtetutës. Ndonëse ndërhyrja është bërë me ligj dhe për interes publik, në gjykim nuk rezultoi që ajo të respektojë parimin e proporcionalitetit siç kërkon neni 17 i Kushtetutës.
Sa më lart, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja “b” dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Shfuqizimin e fjalisë së dytë në pikën 8, të nenit 10 të ligjit nr. 32/2021, datë 16.03.2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.