| Bookmark and Share
Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Njoftim vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datat 17.10.2023, 08.11.2023, 14.11.2023 dhe 07.12.2023, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 1 (Dh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt: “ S hfuqizimi i VKM-së nr. 495, datë 21.07.2022 “Për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë .”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, më 27.12.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si edhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Këshillit të Ministrave, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, me shumicë votash, vendosi: Rrëzimin e kërkesës.

Në lidhje me pretendimin për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, Gjykata, pasi e vlerësoi atë në këndvështrim të neneve 11 dhe 17 të Kushtetutës arriti në përfundimin se edhe pse ka kufizim të kësaj lirie, ai respekton kriterin kushtetues të proporcionalitetit të ndërhyrjes.

Për sa i përket pretendimit tjetër për cenimin e parimit të barazisë para ligjit, Gjykata, në këndvështrim të përmbajtjes së neneve 11 dhe 18 të Kushtetutës, vlerësoi se edhe pse akti i kundërshtuar ka sjellë një diferencim, në rastin konkret ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.

Edhe në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës së aksesit të individit në gjykatë, e parë në këndvështrim të përmbajtjes së neneve 42 dhe 17 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se ka kufizim, por kjo ndërhyrje nuk cenon parimin e proporcionalitetit. Në balancimin e interesit publik në raport me të drejtën e aksesit të individit Gjykata nuk konstatoi pasoja të tilla që e bëjnë të pamundur në thelb ushtrimin e kësaj të drejte.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.