| Bookmark and Share

ORGANIZIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE


Kush e drejton veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese?

Veprimtaria e Gjykatës drejtohet dhe organizohet nga Kryetari i saj dhe, në mungesë të tij, nga gjyqtari më i vjetër në detyrë.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese thërret dhe drejton seancën plenare të Gjykatës Kushtetuese.

Si e ushtron veprimtarinë e saj Gjykata Kushtetuese?

Për ushtrimin e funksioneve të saj Gjykata organizohet në Kolegje, Mbledhjen e Gjyqtarëve dhe Gjykatë.
Kolegjet e Gjykatës janë kompetente për shqyrtimin paraprak të kërkesave.
Mbledhja e Gjyqtarëve është kompetente për shqyrtimin paraprak të kërkesave, kur kjo vendoset nga Kolegji, si edhe për përcaktimin e drejtimeve kryesore të shpenzimeve të mjeteve buxhetore, strukturën organizative të Gjykatës, numrin e punonjësve si dhe kriteret profesionale dhe pagat e tyre, miratimin e rregullave të veprimtarisë së Gjykatës, vendos për masat disiplinore ndaj këshilltarëve etj. 
Gjykata në përbërjen e plotë të saj është kompetente për shqyrtimin e çështjeve në seancë plenare.

Cili është statusi i punonjësve të Gjykatës Kushtetuese?

Administrata e Gjykatës përbëhet nga nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë.
Nëpunësit civilë të administratës së Gjykatës Kushtetuese u nënshtrohen rregullave të shërbimit civil për aq sa nuk bien ndesh me ligjin organik të kësaj gjykate dhe trajtohen financiarisht njëlloj si administrata e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Sekretari i Përgjithshëm është nëpunësi më i lartë civil dhe emërohet nga Mbledhja e Gjyqtarëve.

Cila është struktura që ndihmon procesin vendimmarrës të Gjykatës Kushtetuese?

Pranë Gjykatës funksionon Njësia e Shërbimit Ligjor, e cila përbën bërthamën shkencore juridike të Gjykatës Kushtetuese dhe ushtron veprimtari këshilluese dhe ndihmëse në procesin vendimmarrës.
Njësia e Shërbimit Ligjor përbëhet nga këshilltarë ligjorë, të cilët emërohen nga Kryetari, nga radhët e juristëve që plotësojnë kriteret për të qenë gjyqtarë, prokurorë ose juristë me përvojë jo më pak se 10 vjet si lektorë të së drejtës, avokatë ose nëpunës të lartë të administratës publike.
Jo më pak se gjysma e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve ligjorë emërohen nga radhët e magjistratëve.

Në cilat organizma ndërkombëtarë ka aderuar Gjykata Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese është anëtare me të drejta të plota: e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane (që prej vitit 2000); e shoqatës së Gjykatave Kushtetuese që përdorin Gjuhën Frënge ACCPUF (që prej vitit 2000); e Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese (që prej vitit 2011).
Prej vitit 2016 Gjykata Kushtetuese ka mbështetur dhe ka pranuar njëkohësisht iniciativën për krijimin e një rrjeti për shkëmbimin e informacionit, i cili do t’u mundësonte gjykatave të larta të Shteteve Kontraktuese pasjen e një pike kontakti brenda Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me qëllim forcimin e dialogut dhe shkëmbimin reciprok të burimeve kërkimore respektive në funksion të përgjegjësisë së përbashkët për zbatimin dhe respektimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Me cilat organizma ndërkombëtarë bashkëpunon Gjykata Kushtetuese dhe në cilat raste?

Gjykata Kushtetuese (Shqipëria është shtet anëtar i Komisionit të Venecias që prej vitit 1996) ka një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe afatgjatë me Komisionin e Venecias, i cili mbështetet kryesisht në gamën e gjerë të shërbimeve që ofron Komisioni i Venecias për gjykatat kushtetuese, në mënyrë të veçantë publikimi i Buletinit për Jurisprudencën Kushtetuese (për të cilin gjykata jonë ka kontribuar në mënyrë periodike çdo tre muaj me vendimet e saj më të rendësishme), baza e të dhënave CODICES, Forumi i Venecias, Këshilli i Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, opinionet amicus curiae, përditësimi i vazhdueshëm i informacionit për gjykatat kushtetuese, organizimi i konferencave dhe seminareve të ndryshme etj.
Ajo bashkëpunon edhe me gjykatat e tjera kushtetuese, me disa prej të cilave ka marrëveshje bashkëpunimi, si dhe me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata Kushtetuese, në raste të veçanta, gjatë shqyrtimit të çështjes, mund të kërkojë opinion këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me zbatimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe protokollet shtesë të saj ose amicus curia nga organizma të tjerë.


© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.