24.11.2015
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë z. Augustin Zegrean, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Kryetari i kësaj Gjykate, z. Bashkim Dedja, gjyqtarët z. Besnik Imeraj dhe z. Sokol Berberi, si dhe drejtori i kabinetit të Kryetarit, z. Aleksander Toma, mori pjesë në një aktivitet të përbashkët mes dy gjykatave kushtetuese. Në këtë aktivitet u trajtua tema “Jurisprudenca aktuale e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë”, si dhe u shkëmbyen përvojat respektive të viteve të fundit, që lidhen me vendimmarrjen e të dyja gjykatave kushtetuese.
09.11.2015
Me ftesën dhe iniciativën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Prof. Gerhart Holzinger, u organizua në Vjenë, Austri, në datat 5 – 6 nëntor 2015, një tryeze e rrumbullakët me pjesëmarrjen e Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi.
06.11.2015
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës zhvilluan një tryezë të përbashkët me temë: Aspekte të veprimtarisë gjyqësore dhe administrative të gjykatës kushtetuese – paraqitje e elementëve dallues dhe të përbashkët midis Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”, në Shkup, Maqedoni, në 28-30 tetor 2015.
21.10.2015
Me ftesë të Prof. Dr. Rainer Arnold, Shef i Katedrës “Jean Monnet” dhe Sekretar i Përgjithshëm i Rrjetit të së Drejtës Kushtetuese Europiane, dy përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm dhe znj. Arta Vorpsi, këshilltare ligjore, morën pjesë në Kongresin e XVII Ndërkombëtar të së Drejtës Kushtetuese të Krahasuar dhe Europiane. Punimet e Kongresit u zhvilluan në Regensburg, Gjermani, në datat 16-17 tetor 2015.
14.10.2015
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Armenisë, Komisioni i Venecias dhe Organizata Ndërkombëtare “Konferenca e organeve të kontrollit kushtetues të vendeve të demokracive të reja” organizuan në Erevan (Armeni) nga 08 deri 10 tetor 2015, konferencën ndërkombëtare të titulluar “Roli i gjykatave kushtetuese në forcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor: qasje teorike dhe sfidat e aktuale”.
15.09.2015
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga z. Bashkim Dedja, Kryetari i gjykatës, z. Fatmir Hoxha, gjyqtar dhe znj. Thomaida Xhoxhaj, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Rrethin e Kryetarëve (Mbledhja Përgatitore) që u zhvillua në kuadër të Konferencës së XVII-të të Gjykatave Kushtetuese Evropiane, në Batumi të Gjeorgjisë, nga data 9 deri në 11 shtator 2015.
25.06.2015
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë mori pjesë në Ceremoninë që u organizua me rastin e përfundimit të mandatit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof. dr. Enver Hasani, në datën 16 qershor në Prishtinë, Kosovë.
19.06.2015
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës së Mosmarrëveshjeve të Juridiksionit, z. Serdar ÖZGÜLDÜR, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim DEDJA, mori pjesë në simpoziumin ndërkombëtar të organizuar në Ankara (Turqi), me rastin e 70-vjetorit të krijimit të Gjykatës turke të Mosmarrëveshjeve të Juridiksionit në datat 12-14 qershor 2015.
18.06.2015
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë, Këshilli i Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese i Komisionit Europian për Demokracinë nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias) e organizoi takimin e tij të 14-të në Bukuresht, nga 11 deri 12 qershor 2015.
17.06.2015
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, prof. dr. Fejzullah Hasani, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, mori pjesë në Samitin e Kosovës për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015. Ky samit u organizua nga Gjykata Supreme e Kosovës në bashkëpunim me Institutin për Demokraci Kulturore, Berlin (ICD).