Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri në lidhje me përgatitjen e opinionit për projekt amendimet në ligjin nr.97/2013 për shërbimin e mediave audiovizive, delegacioni i Komisionit të Venecias, i përbërë nga znj. Herdis Kjerulf Thorgeirsdottir, anëtare e Komisionit të Venecias për Islandën, z. Michael Frendo, anëtar i Komisionit të Venecias për Maltën, z. Grigory Dikov, ekspert ligjor në Drejtorinë e të Drejtave të Njeriut dhe Shtetit të së Drejtës - KiE, znj. Sevim Sönmez, eksperte ligjore në Drejtorinë e të Drejtave të Njeriut dhe Shtetit të së Drejtës - KiE, zhvilloi sot një takim zyrtar me zonjën Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Në këtë takim, delegacioni i Komisionit të Venecias shoqërohej nga z. Olsi Dekovi, zëvendës Shefi i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë.
Gjatë takimit, anëtarët e delegacionit të Komisionit të Venecias shprehën interesim për situatën aktuale lidhur me veprimtarinë konkrete të Gjykatës Kushtetuese, me impaktin e mungesës së funksionalitetit të kësaj Gjykate, si dhe me pritshmëritë për ushtrimin e kompetencave të saj institucionale kushtetuese.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi, anëtarët e delegacionit të Komisionit të Venecias u njohën dhe diskutuan rreth jurisprudencës së deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në lidhje me shpifjen, me mënyrën e trajtimit të veprës penale të shpifjes nga gjykatat e sistemit gjyqësor.