Gjatë vizitës së tij dy ditore në Shqipëri për të diskutuar mbi kërkesat e Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës për një opinion mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, delegacioni i Komisionit të Venecias është pritur në një takim edhe nga anëtarja me kompetencat e Kryetarit të kësaj gjykate, znj. Vitore Tusha, si dhe nga anëtaret znj. Elsa Toska, znj. Marsida Xhaferllari dhe znj. Fiona Papajorgji.
Gjatë takimit, pasi u nënvizua bashkëpunimi i gjatë dhe i fytshëm i Komisionit të Venecias me Gjykatën Kushtetuese, zonja Tusha bëri një prezantim të shkurtër të situatës aktuale të Gjykatës Kushtetuese, plotësimit të disa prej vakancave të saj, si dhe të rëndësisë që mbart bashkëpunimi institucional dhe luajaliteti kushtetues në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim rinisjen e funksionalitetit te plotë dhe veprimtarisë së saj vendimmarrëse, si dhe rritjen e besimit të publikut te ky institucion kushtetues që garanton mbrojtjen e demokracise dhe të shtetit ligjor në Shqipëri.
Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias gjatë bashkëbisedimit drejtuan disa pyetje duke shprehur interesin e tyre për veprimtarinë që aktualisht po zhvillon Gjykata Kushtetuese, plotësimin e deritanishëm të vakancave të saj, pritshmërinë deri në bërjen plotësisht funksionale të kësaj gjykate, si dhe hapësirat ligjore dhe kompetencat që mund të ushtrojë kjo gjykatë në funksion të këtij procesi.