| Bookmark and Share

Thirrje për aplikim, ekspert për përgatitjen e doracakëve të Kushtetutës

Në kuadër të Projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, të mbështetur nga Konfederata Zvicerane, e përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, kërkohet të angazhohet për një periudhë disa ditore një ekspert ligjor për të ndihmuar me përgatitjen e një doracaku të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për fëmijët e arsimit bazë (të klasave të teta dhe të nënta). Nën kujdesin e Gjykatës Kushtetuese, eksperti do të ndihmojë me përgatitjen e doracakut, i cili do të paraqesë me një gjuhë të thjeshtë për fëmijët përmbajtjen e disa prej pjesëve kryesore të Kushtetutës, përfshirë pjesën e dytë të saj mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut” si dhe pjesën e tetë, mbi funksionet dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.

Përshkrimi i detyrave:

Eksperti kryen detyrat e mëposhtme:

- njihet me kërkesat e projektit sa i takon angazhimit për hartimin e doracakut dhe përgatit një strukturë të doracakut, në konsultim me Gjykatën;

- harton draftin e doracakut dhe merr miratimin për përmbajtjen përfundimtare të tij, duke integruar në të komentet dhe sugjerimet e mundshme të Gjykatës;

- përgatit renditjen përfundimtare të doracakut, në formë materiali për shtyp.

Kritere të përgjithshme për përzgjedhje:

- të ketë përfunduar studimet universitare për drejtësi, në nivel studimesh të doktoraturës;

- të paktën njëzet vite përvojë pranë institucioneve publike, atyre të edukimit, apo në organizata vendase ose ndërkombëtare që punojnë në fushën e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut;

- të jetë angazhuar apo marrë pjesë në veprimtari, projekte e nisma që promovojnë edukimin ligjor të fëmijëve dhe të të rinjve me të drejtat kushtetuese;

- të ketë përvojë me hartimin e manualeve apo materialeve didaktike në fushën e së drejtës dhe atë kushtetuese me përfitues fëmijët dhe/apo të rinjtë;

- preferohet të ketë përvojë në mësimdhënie;

- të ketë aftësi shumë të mira organizative dhe komunikimi, si dhe aftësi të mira për të punuar në grup

Aplikimi:

Personat e interesuar të cilët përmbushin kriteret e lartpërmendura ftohen të paraqesin brenda datës 02 shtator 2024 jetëshkrimin e tyre dhe një letër motivimi në adresën: Erion.Tafaj@gjk.gov.al

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.