| Bookmark and Share

Thirrje për aplikim, për një ekspert trajner në fushën e komunikimit me publikun dhe median

Në kuadër të Projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, të mbështetur nga Konfederata Zvicerane, e përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, kërkohet të angazhohet një ekspert trajner për komunikimin për realizimin e një trajnimi dy-ditor të Gjykatës me temë “ Komunikimi etik me publikun dhe me median”.

Përshkrimi i detyrave:

Trajneri do të jetë përgjegjës për sa më poshtë:

1. Të zhvillojë takime paraprake me institucionin për të kuptuar pritshmëritë e pjesëmarrësve dhe nevojat e tyre për trajnim sa i takon temës;

2. Të përgatisë modulin e trajnimit në formatet word dhe powerpoint, i cili do të përmbajë koncepte dhe nëntema që i përgjigjen nevojave për trajnim të identifikuara në pikën 1 (materiali do të përmbajë edhe ushtrime ndërvepruese në grup të tilla si ushtrime demonstruese, punë në grup, etj.);

3. Të përcjellë në mënyrë të kuptueshme tek pjesëmarrësit të gjitha konceptet përkatëse, si dhe të moderojë diskutimet e tyre gjatë dy ditëve të veprimtarisë, duke ndarë të shkruara, vizuale si dhe duke kryer ushtrime ndërvepruese;

4. Në mbyllje të trajnimit, të përgatisë një raporti përmbledhës vlerësimi lidhur me rezultatet e trajnimit duke identifikuar edhe disa prej nevojave për trajnime të tjera të ngjashme.

Kritere për përzgjedhjen:

- të ketë kryer studime të specializuara në fushën e komunikimit;

- të paktën 15 vite përvojë pranë institucioneve publike, atyre të edukimit dhe shkencës, apo në sektorin privat në fushën e komunikimit, përfshirë edhe komunikimin me publikun dhe me median;

- përvojë në fushën e komunikimit dhe gazetarisë në vendas dhe ndërkombëtar;

- aftësi dhe përvojë në organizimin/udhëheqjen e trajnimeve apo mentorimeve të nivelit të lartë manaxherial në komunikim, si në sektorin publik, ashtu edhe atë privat;

- kandidati preferohet të ketë përvojë në mësimdhënie në fushën e komunikimit me publikun dhe/apo median;

- aftësi të shkëlqyera organizative dhe komunikimi, si dhe aftësi të mira për të punuar në grup, duke respektuar mendimin e gjithësecilit.

Aplikimi:

Personat e interesuar të cilët përmbushin kriteret e lartpërmendura ftohen të paraqesin brenda datës 20 maj 2024 jetëshkrimin e tyre dhe një letër motivimi në adresën: Erion.Tafaj@gjk.gov.al

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.